Një ish-rojë sigurie i një hoteli, Eddy Garcia, ka dëshmuar se kishte marrë 100 mijë dollarë në para të gatshme nga vetë Diddy, me qëllimin për të fshehur një video sigurie ku reperi shfaqej duke ushtruar dhunë ndaj partneres së tij të atëhershme, këngëtares Cassie Ventura.
Kjo video, e cila tashmë konsiderohet provë kyçe në procesin gjyqësor që po zhvillohet, u shfaq gjatë seancës së fundit në sallën e gjyqit.
Garcia deklaroi se ishte kontaktuar fillimisht nga ndihmësja e Diddy-t, Kristina Khorram, e cila kërkoi të shihte menjëherë pamjet, por ai kishte refuzuar për shkak të mungesës së një urdhri zyrtar.
Më vonë, vetë Sean Combs e kishte telefonuar personalisht, duke e lutur që videoja të mos publikohej.
Reperi i kishte thënë se kishte pirë shumë dhe se “e dinte si shkojnë punët me gratë”.
Ai i ishte lutur Garcias ta ndihmonte, duke i thënë se kjo mund t’i shkatërronte karrierën dhe se ai ishte “engjëlli i tij”.
Në sallën e gjyqit dëshmoi edhe Cassie Ventura, e cila rrëfeu për dhunën fizike që kishte përjetuar në korridoret e hotelit, teksa përpiqej të largohej nga një prej të ashtuquajturave “festa freak-off” – që sipas saj, përfshinin abuzim seksual, përdorim droge dhe incizime të fshehta pa pëlqim.
Sipas dëshmisë së saj, Diddy e kishte ndjekur, e kishte rrëzuar dhe më pas e kishte goditur me shkelma, përpara se të tentonte ta tërhiqte sërish në dhomë.
Avokatët e Diddy-t pranuan përgjegjësinë e tij për dhunën e shfaqur në video, por mohuan kategorikisht akuzat për trafikim njerëzor, zhvatje dhe lidhje me prostitucionin.
Aktualisht, Sean Combs ndodhet në paraburgim, në pritje të një vendimi gjyqësor që mund të përcaktojë fundin e një karriere shumëvjeçare në industrinë muzikore. /Prive By Liberta Spahiu