Tammy Slaton, një nga figurat më të njohura të televizionit ‘reality’, është bërë kryefjalë sërish pas transformimit të saj mbresëlënës, duke humbur mbi 540 lb, (rreth 245 kilogramë) që nga fillimi i udhëtimit të saj në vitin 2020.
E njohur për rolin e saj në serialin “1000-Lb Sisters” në TLC, Tammy dhe motra e saj Amy nisën dokumentimin e betejës së tyre me obezitetin ekstrem, me një peshë të kombinuar mbi 1000 lb. Tammy, në kulmin e saj, peshonte 725 lb (rreth 330 kg) dhe kishte nevojë për tub oksigjeni për të marrë frymë.
Tani, në moshën 38-vjeçare, Tammy jo vetëm që ka humbur rreth 500 lb përmes përpjekjeve të mëdha dhe operacionit gastrik të kryer në korrik 2022, por ka realizuar së fundmi edhe një tjetër hap të rëndësishëm: operacionin për heqjen e lëkurës së tepërt.
TLC publikoi një klip tronditës dhe emocionues, ku shihet Tammy dhe familja e saj duke u përgatitur për operacionin – një procedurë që zgjati rreth 30 minuta dhe përfshiu heqjen e 15 lb (rreth 7 kg) lëkurë të tepërt nga fytyra, qafa, krahët dhe barku i saj. Kirurgu shpjegon se nuk u hoqën yndyra, por vetëm lëkurë, e cila, sipas tij, do të mbulonte një sipërfaqe prej më shumë se tre metra katrorë.
Pamjet e operacionit janë të detajuara dhe tregojnë kompleksitetin e procedurës. Pas ndërhyrjes, Tammy përjeton për herë të parë pamjen e re të trupit të saj – duke parë një pjesë të mesit që nuk e kishte parë kurrë më parë dhe një vijë qafe tërësisht të re. “Do të më duhet pak kohë për të mësuar të shoh veten kështu,” tha ajo e emocionuar pas rikuperimit.
Udhëtimi i saj nuk ka qenë i lehtë. Tammy është përballur me varësinë ndaj ushqimit, ka bërë disa qëndrime në qendra rehabilitimi dhe ka përjetuar humbjen e bashkëshortit të saj, Caleb Willingham, në vitin 2023, në moshën 40-vjeçare.
Megjithatë, ajo arriti të humbte aq peshë sa të kualifikohej për operacionin bariatrik, dhe tashmë, pas një transformimi të plotë, ajo ndan me botën besimin dhe emocionet e saj. “E kam humbur tre versione të vetes time,” tha ajo për Ezell Film Company. “Kur i shikoj fotot e mia të tanishme, mendoj: wow.”
Në një intervistë për revistën People, Tammy rrëfeu emocionet e forta përpara operacionit të fundit: “Natën para operacionit, isha tmerrësisht e frikësuar. Ishte më frikësuese se operacioni gastrik, sepse këtë herë po prisnin të gjithë barkun.”
Sot, Tammy Slaton është më e fortë se kurrë, duke u bërë një frymëzim për qindra mijëra njerëz në mbarë botën që përballen me sfida të ngjashme.