Teologia Ikballe Berisha Huduti ka dhënë një reagim të gjatë dhe emocional pas anulimit të hyrjes së saj në shtëpinë e Big Brother VIP Kosova 4 në momentet e fundit. Në një postim ku shpreh mirënjohjen dhe thellësinë e situatës, ajo sqaron arsyet që e shtynë të tërhiqej, duke ngritur një debat mbi prioritetet jetësore dhe vlerat.
Huduti thekson se është dashur të qëndrojë pranë bashkëshortit të saj, i cili po përballet me sëmundjen e Parkinsonit. Ajo shprehet se gjendja e tij është rënduar ditët e fundit dhe se, sipas kontratës së tyre, ajo nuk do ta ndalonte udhëtimin e tij “për asgjë, përveç nëse gjendja e tij e kërkon”.
Ajo e cilëson këtë si një detyrim shpirtëror për të qëndruar pranë njëri-tjetrit në vështirësi.
“Bashkëshorti im, para dy muajve ka qenë shumë mirë dhe më ka përkrahur fuqishëm në këtë sfidë të misionit tim. Vetëm këto ditë iu është rënduar gjendja. … Prandaj e falënderoj Zotin që sot jam pranë burrit tim. E kam obligim dhe ndërgjegjje shpirtërore t’i qëndrojmë pranë njëri-tjetrit në varfëri, në sëmundje dhe në çdo lloj nevoje që sjell jeta bashkëshortore.”
Ikballja shprehet se në kontratë ka “deklaruar se nuk do ta ndal këtë rrugëtim për asgjë, përpos nëse gjendja e tij e kërkon”, duke pretenduar se obligimet kontraktuale nuk i ka problem në këtë rast.
Ajo e përshkruan mospjesëmarrjen si një “humbje të madhe” sepse, sipas saj, qëllimi i saj në BBVK ishte kaq human sa vlente të ecej “nëpër gaca e gjemba”. Megjithatë, e thekson se suksesin e mat me “krijimin dhe promovimin e vlerave morale” dhe se misioni i saj fetar lidhet ngushtë me vlerat e nevojshme në shoqërinë shqiptare.
Reagimi i Ikballe Hudutit lë të kuptohet se arsyeja kryesore, gjendja shëndetësore e bashkëshortit, është një pengesë thelbësore dhe afatgjatë. Për më tepër, duke e vënë theksin aq fort te vlerat dhe duke u distancuar moralisht nga “sfida dhe problematika morale” që, sipas saj, kanë pothuajse të gjithë banorët e tjerë, ajo e ka vështirësuar kthimin e saj.
Kjo deklaratë, e cila kulmon me një mesazh për ata që e ndjekin programin (“…bëni lutje që këta banorë të vetëdijësohen për të mirat që kanë…”), duket se e mbyll përfundimisht derën për një hyrje të mëvonshme në këtë format, duke konsideruar që angazhimi familjar është parësor. /Prive By Liberta Spahiu


