Tetë herë kampioni i botës në Formula 1, Michael Schumacher, i cili pësoi një aksident të rëndë gjatë skijimit 12 vite më parë, ka shënuar një hap të rëndësishëm në gjendjen e tij shëndetësore. Sipas zbulimeve nga Daily Mail, 57-vjeçari gjerman nuk është më i detyruar të qëndrojë vetëm i shtrirë në krevat. Procesi i tij i ngadaltë i rikuperimit është mbajtur si një sekret i rreptë, i njohur vetëm nga familja e tij e ngushtë dhe një rreth shumë i vogël miqsh të besuar.
Detajet e reja mbi lëvizshmërinë e tij
Burime pranë familjes bëjnë me dije se Schumacher tashmë mund të qëndrojë ulur në një karrige me rrota. Ai lëviz i shoqëruar në pronat e tij luksoze, si në vilën prej 30 milionë paundësh në Majorka, ashtu edhe në rezidencën e tij në Gland, në brigjet e Liqenit të Gjenevës. Për kujdesin e tij shëndetësor kujdeset bashkëshortja Corinna, së bashku me një ekip infermierësh dhe terapistësh që e monitorojnë 24 orë në ditë, me një kosto që arrin në dhjetëra mijëra paund në javë.
Privatësia mbetet e shenjtë
Që nga aksidenti tragjik në Meribel të Alpeve Franceze, ku ai pësoi dëmtime të rënda në trur, privatësia e tij është konsideruar parësore. Familja ka bërë përpjekje titanike për ta mbajtur atë larg syrit të publikut, madje vitin e kaluar pati edhe dënime gjyqësore për ish-staf të cilët tentuan të shitnin foto të tij në gjendje të rëndë. Gjithashtu, zërat se ai mori pjesë në dasmën e vajzës së tij, Gina, në vitin 2024, rezultuan të pabaza.
Gjendja e tij kognitive: Përtej thashethemeve
Për një kohë të gjatë u spekulua se Schumacher vuante nga “sindroma e kyçjes” (locked-in syndrome), ku pacienti është i vetëdijshëm por nuk reagon dot. Megjithatë, burimet konfirmojnë se gjendja e tij është pak më ndryshe. “Ekziston ndjesia se ai kupton disa nga gjërat që ndodhin rreth tij, por ndoshta jo të gjitha,”- është shprehur një person i afërt, duke dhënë një shpresë të vogël, por duke mbetur sërish realist për shkallën e dëmtimit që ai ka pësuar. /Prive By Liberta Spahiu



