Legjenda e muzikës turke, İbrahim Tatlıses, i cili prej disa ditësh ndodhet i shtruar në kujdesin intensiv, ka thyer heshtjen përmes një mesazhi dërguar në emisionin televiziv “Gel Konuşalım” (TV8). Pavarësisht gjendjes së tij delikate shëndetësore, ai ka treguar se nuk heq dorë nga inatet e vjetra familjare, veçanërisht me djalin e tij të madh, Ahmet Tatlıses.
Sipas informacioneve nga mediat turke, Tatlıses u shtrua me urgjencë në spital pasi u ndje keq në shtëpinë e tij, ku u fut në reanimacion për t’u trajtuar për një infeksion. Edhe pse fëmijët me të cilët ai është në konflikt prej kohësh, përfshirë Ahmetin dhe vajzën Dilan, shkuan në spital për ta vizituar, reagimi i këngëtarit të famshëm ka qenë i prerë.
Në deklaratën e tij të bërë publike së fundmi, Tatlıses u shpreh qartë lidhur me vizitën e tyre: “Dilan dhe Ahmet le t’u luten Melek Zübeyde-s dhe Tuğçe-s. Përndryshe nuk do t’i lija të hynin në dhomë. Ahmetin nuk e dua, nuk do ta dua dhe nuk do ta fal. Nuk ia bëj hallall.”
Ndërkohë, trajtimi mjekësor i Tatlıses raportohet se po jep rezultate pozitive. Megjithatë, kjo ngjarje tregon se mosmarrëveshjet e tij të thella me fëmijët vazhdojnë të mbeten të ndezura, pa asnjë shenjë paqeje as në rrethana të tilla kritike për shëndetin.
/Prive By Liberta Spahiu


