Dua Lipa ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm ligjor duke ngritur një padi prej 15 milionë dollarësh kundër gjigantit të teknologjisë, Samsung.
Këngëtarja me famë botërore pretendon se kompania koreano-jugore ka përdorur imazhin e saj pa asnjë lloj autorizimi zyrtar në paketimet e televizorëve të tyre. Sipas padisë, ky imazh është shfrytëzuar për një fushatë të gjerë marketingu, duke u vendosur nëpër produkte pa pasur më parë një marrëveshje pëlqimi apo dëmshpërblimi me ekipin e saj menaxhues.
Sipas dokumenteve të depozituara të premten në Gjykatën e Kalifornisë, bëhet fjalë konkretisht për një fotografi të shkrepur gjatë performancës së artistes në festivalin e njohur “Austin City Limits”. Kjo pamje është vendosur në kutitë e televizorëve që prej vitit të kaluar. Në dosje theksohet gjithashtu një detaj mjaft domethënës: kur ekipi i këngëtares zbuloi këtë shkelje dhe kontaktoi drejtpërdrejt kompaninë për të kërkuar tërheqjen e imazhit, kërkesa e tyre u refuzua plotësisht nga ana e markës, duke i detyruar ata t’i drejtohen rrugës gjyqësore.
Për të argumentuar përfitimin financiar që kompania ka pasur nga ky përdorim i jashtëligjshëm, në dosjen e gjykatës janë përfshirë edhe postime të ndryshme nga përdorues në platformën X. Në këto postime, blerësit pranojnë hapur se nuk kishin planifikuar të blinin produktin, por u ndikuan për ta marrë atë pasi panë fytyrën e Dua Lipës në paketim.
Ekipi ligjor i yllit të popit thekson se ajo ka ndërtuar një markë të nivelit “premium” në treg dhe i zgjedh me shumë kujdes partnerët e saj tregtarë. Rrjedhimisht, ky veprim përbën një shkelje serioze të të drejtave të imazhit dhe atyre tregtare.
Çështja tashmë i ka kaluar plotësisht drejtësisë amerikane për të marrë një vendim përfundimtar mbi këtë padi milionëshe. /Prive By Liberta Spahiu


