Linja e famshme e të brendshmeve të Kim Kardashian, “SKIMS”, ka ndihmuar autoritetet britanike të kapin një trafikant kokaine, i cili tashmë është dënuar me më shumë se 13 vjet burg.
Jakub Jan Konkel do të kalojë 13 vjet e gjashtë muaj prapa grilave, pas vendimit të dhënë nga Gjykata në Essex të Anglisë. E besoni apo jo, veshjet e famshme të Kim Kardashian luajtën një rol kyç në zbulimin e tij.
Sipas policisë, shtatori i kaluar nisi si një udhëtim i zakonshëm për Konkelin, i cili hipi në një traget me kamionin e tij në Holandë për t’u zhvendosur drejt portit Harwich në Essex.
Gjatë kontrollit, oficerët e Patrullës Kufitare skanuan me rreze X kamionin, i cili ishte i ngarkuar me plot 28 paleta me rroba të markës “SKIMS”. Policia sqaroi se vetë veshjet e yllit televiziv ishin plotësisht të ligjshme, por surpriza fshihej te dyert e pasme të trajlerit.
Aty autoritetet zbuluan 90 paketime, secila me nga 1 kilogram kokainë të pastër. Vlera totale e drogës së sekuestruar kapte shifrën e rreth 9.4 milionë dollarëve.
Në fillim, shoferi tentoi të mohonte gjithçka dhe deklaroi se nuk kishte dijeni për praninë e narkotikëve.
Megjithatë, më vonë ai pranoi se kishte rënë dakord të kontrabandonte kokainën në këmbim të një pagese prej rreth 5,300 dollarësh.
Ai u deklarua fajtor për trafikim droge gjatë gjykimit, gjë që i kushtoi edhe dënimin e rëndë me burg. /Prive By Liberta Spahiu


