Melinda Ademi ka zyrtarizuar rikthimin e saj me një projekt masiv muzikor. Përmes një postimi në llogarinë e saj në Instagram, artistja ka zbuluar kopertinën dhe listën e plotë të këngëve të albumit të saj më të ri të titulluar “Bad Diva”. Projekti përmban plot 20 këngë të reja, një volum pune mjaft i madh dhe sfidues për tregun tonë muzikor. Publikimi zyrtar i albumit është caktuar për këtë të premte, më datë 29 maj, në orën 23:59.
Vëmendje të veçantë në këtë postim ka marrë lista e gjatë e bashkëpunimeve. Melinda ka përfshirë disa nga emrat më të lakuar të momentit në tregun vendas dhe atë ndërkombëtar.
Në sy bie menjëherë dueti me Bardhin në këngën numër katër, “S’jena Mo”, si dhe bashkëpunimi i pritur me Ronela Hajatin në këngën “Dance Halla”. Lista e të ftuarve në “Bad Diva” vijon me artistin Didine Canon 16 në “Heke”, Elinel në “Gjiro”, Gesko në këngën “Okej Okej”, dhe përmbyllet me Lumi B në projektin e fundit të albumit, të titulluar “Eci”.
Komentet në postimin e artistes nuk kanë munguar, me shumë kolegë të estradës që kanë treguar mbështetjen e tyre për këtë hap të rëndësishëm në karrierën e saj. Ky rikthim tregon qartë angazhimin e Melindës për të sjellë sa më shumë muzikë të re gjatë kësaj vere. Mbetet të presim të premten në mbrëmje për të dëgjuar të plotë atë që ajo ka përgatitur në këtë album. /Prive By Liberta Spahiu


