Syzet e diellit në aeroport janë shpëtimi i parë kur zgjoheni herët në mëngjes, kur jeni të lodhur, apo kur thjesht doni të futeni në “regjimin e pushimeve”. Megjithatë, një eksperte e udhëtimeve ka lëshuar një paralajmërim të rëndësishëm se si ky gjest i thjeshtë mund t’ju shkaktojë telashe të mëdha.
Amanda Parker, nga faqja e njohur e fluturimeve “Netflights”, ka shpjeguar se ndonëse nuk ka një rregull zyrtar që e ndalon mbajtjen e syzeve apo kapuçave brenda aeroportit (përveç zonës së sigurisë ku duhen hequr patjetër), ky veprim është rreptësisht i dekurajuar pasi ngjall dyshime të mëdha.
Sipas ekspertes, kombinimi i syzeve të errëta me një bluzë me kapuç të tërhequr pas kokës ju bën të dukeni sikur po fshihni diçka. “Aeroportet janë mjedise të sigurisë së lartë, ndaj ky stil mund t’ju bëjë të pikaseni menjëherë nga stafi, duke u kthyer pa dashje në një shënjestër të kontrolleve”, thotë Parker.
Përveç kësaj, syzet e errëta ndërhyjnë në teknologjinë e njohjes së fytyrës (facial recognition) që përdoret gjerësisht nëpër aeroporte. Ekspertja shton se nëse qëllimi juaj është të kaloni pa rënë në sy, mbulimi i fytyrës brenda një mjedisi të mbyllur do të ketë krejtësisht efektin e kundërt.
Nëse dëshironi një udhëtim të qetë dhe pa vonesa, zgjidhja më e mirë është të qëndroni të dukshëm dhe të qasshëm për stafin në çdo moment. Është më mirë që pak njerëz t’ju shohin me sytë e fryrë nga gjumi, sesa të përfundoni në dhomat e pyetjeve të sigurisë përpara se të hipni në avion! /Prive By Liberta Spahiu


