Ylli shqiptar me famë botërore, Dua Lipa, dhe aktori i njohur i Hollywood-it, Callum Turner, i kanë dhënë fund beqarisë duke u martuar sot në një ceremoni tejet private dhe intime, të rrethuar vetëm nga rrethi i tyre i ngushtë familjar dhe shoqëror.
Çifti i famshëm shkëmbeu zotimet e martesës këtë pasdite në zyrën e gjendjes civile në Londër.
Këngëtarja 29-vjeçare shkëlqeu e tëra në të bardha, e veshur me një fustan elegant, kapelë dhe doreza, teksa ecte dorë për dore me bashkëshortin e saj të ri, 35-ish vjeçarin Callum Turner, i cili kishte përzgjedhur një kostum elegant me ngjyrë të kaltër të errët dhe kollare.

Në përfundim të ceremonisë zyrtare, tetë nga miqtë dhe familjarët e tyre më të afërt u rreshtuan në të dyja anët e shkallëve të institucionit, duke hedhur konfeti mbi çiftin e lumtur, të cilët më pas u larguan me një taksi tradicionale të zezë londineze.

Ky celebrim ligjor dhe mjaft i thjeshtë shërben si një parathënie përpara festës së madhe që po bëhet gati. Dua dhe Callum kanë planifikuar një dasmë të dytë luksoze, e cila do të zgjasë plot tri ditë dhe do të mbahet në Sicili të Italisë.

Zyra e gjendjes civile në Marylebone të Londrës është një ndër vendet më të preferuara për personazhet e njohura botërore që duan të martohen larg vëmendjes së madhe mediatike. Në këtë vend, emra të mëdhenj të muzikës si Sir Paul McCartney dhe Liam Gallagher kanë lidhur kurorë madje nga dy herë.
Urime Dua! /Prive By Liberta Spahiu



