Melinda Ademi po i jep një tjetër ritëm këtij sezoni veror me projektin e saj më të fundit.
Ndonëse “Bad Diva” u lançua vetëm të premten në mesnatë, fundjava ka qenë vërtet shpërthyese për artisten sa i përket dëgjueshmërisë. Duke lënë mënjanë zhurmën e zakonshme që përhapet rëndom në TikTok apo shikimet e videoklipeve në YouTube, vetëm në platformat e audios ky projekt arriti të grumbullojë rreth 4.2 milionë dëgjime brenda një harku kohor tepër të shkurtër.

Nuk bëhet fjalë për një projekt të vogël kalimtar, por për një album të mirëfilltë e të ngarkuar me plot 20 këngë. Për këtë rikthim masiv, Melinda nuk i ka kursyer aspak as bashkëpunimet, duke bërë bashkë emra të fuqishëm të tregut si Ronela Hajati, Lumi B, Gesko, Elinel, e madje duke tërhequr edhe artistë jashtë kufijve si reperi Didine Canon 16. Ndërkohë, prurje si “Oj Shpirt”, “Zemra jeme” dhe “Heke” tashmë kanë filluar të zënë vendin e tyre nëpër klube. Me muzikën e kuruar detajisht nga producentë si Big Bang dhe Aspekt, ky album tregon një angazhim intensiv prapa kuintave.
Kur mendohej se mund të kishte një pauzë, artistja ka vendosur t’i mbajë motorët ndezur, duke mos lënë asnjë hapësirë boshe këtë sezon. /Prive By Liberta Spahiu


