Edicioni i tretë i Ferma VIP mbylli siparin të hënën me një finale të madhe, por festa e vërtetë ndodhi mbrëmë, pikërisht aty ku nisi gjithçka. Në ambientet e vetë fermës, ish-konkurrentët dhe të ftuarit e tyre u mblodhën për të lënë pas lojën dhe për të shijuar një mbrëmje pa rregulla dhe pa nominime. Mes atmosferës së ngrohtë dhe muzikës live, vëmendjen e mori sipërmarrësja dhe prezantuesja Malbora Gurra, e cila i surprizoi të gjithë me një moment mjaft personal dhe të ndjerë.
Larg dinamikave dhe debateve që e shoqëruan gjatë qëndrimit në format, Malbora u ngjit në skenë për të performuar krah artistes së njohur Eranda Libohova. Përmes një postimi në Instagram, ish-konkurrentja tregoi se ky nuk ishte një duet i rëndomtë feste, por një dedikim i pastër familjar. “Ajo zgjodhi pikërisht këngën që mamaja ime e kishte kënduar shumë vite më parë, duke e bërë këtë moment edhe më të veçantë dhe plot emocion për mua,” shkroi Malbora, duke shtuar se do ta mbajë këtë eksperiencë si një nga kujtimet më të çmuara të jetës së saj. Për ata që mund ta kenë harruar, nëna e saj është Elida Shehu, një emër që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në festivalet e RTSH-së në të kaluarën.
Këtij momenti emocionues i është përgjigjur me shumë ngrohtësi edhe vetë Eranda Libohova. Ajo theksoi se Elida ka qenë dhe vazhdon të mbetet një yll i vërtetë i skenës. “Grurë dhe këngë e kam mësuar që e vogël dhe kur u rrita e bëra pjesë të repertorit tim,” u shpreh këngëtarja, duke e vulosur këtë performancë si një kujtim të bukur për Borën. /Prive By Liberta Spahiu


