Humbja e parakohshme në nëntor të vitit të kaluar e këngëtarit të njohur Shpat Kasapi la një zbrazëti të madhe te familjarët dhe publiku që e ndoqi ndër vite. Edhe pse muajt kalojnë, kujtimi për të mbetet i gjallë, veçanërisht përmes artit dhe trashëgimisë muzikore që ai la pas.
Së fundmi, bashkëshortja e tij, Selvija, ka prekur zemrat e të gjithë ndjekësve përmes një postimi në llogarinë e saj në Instagram. Ajo ka bërë të ditur se Shpati ka lënë pas disa këngë të cilat nuk arriti t’i publikonte sa ishte gjallë, duke ndarë të gjitha fjalët e saj të ndjera për këtë projekt.
Në mesazhin e saj të plotë, Selvija shkruan:
“Ah Shpat… Të qanë të gjitha nënat shqiptare, dhe sot po i lë botës një këngë që flet për mallin e një djali në gurbet, që ëndërron ditën kur do të kthehet e do ta gjejë nënën duke e pritur.”
Ajo vazhdon më tej duke shprehur dhimbjen e madhe që ndien teksa dëgjon këto vargje sot:
“Sa e rëndë tingëllon sot kjo këngë… sepse një nënë ende pret zërin e djalit të saj, përqafimin e tij dhe trokitjen e tij në derë…”
Në mbyllje të dedikimit, Selvija tregon se e sheh si një mision personal që zëri i bashkëshortit të saj të ndjerë të mos shuhet kurrë:
“Shpati ka lënë pas disa këngë që nuk arriti t’i publikojë, dhe edhe pse zemra më dhemb, e ndiej se kam për detyrë t’jua sjell juve, që zëri i tij të vazhdojë të jetojë mes nesh. Së shpejti në YouTube ‘NANA'”.
Përveç njoftimit për këngën e re, Selvija ka ndarë me ndjekësit edhe një moment tjetër mjaft prekës. Ajo ka publikuar një video të Shpatit krah nënës së tij. Këtë moment ku ata shihen të qeshur pranë njëri-tjetrit, ajo e ka shoqëruar me fjalët e ndjera: “E plase zemrën e nënës”, duke treguar edhe një herë dhimbjen e madhe që familja po kalon nga kjo ndarje e parakohshme. /Prive By Liberta Spahiu



