Dasmat e Dua Lipës dhe Callum Turner (po, ishin më shumë se një!) kanë qenë një spektakël i vërtetë i dashurisë së madhe, emrave të famshëm dhe modës së lartë. Këngëtarja 30-vjeçare dhe aktori 36-vjeçar u kurorëzuan zyrtarisht të dielën e 31 majit, në një ceremoni civile dhe shumë private në Londër. Për këtë ditë, nusja zgjodhi një kostum me fund të qepur posaçërisht nga Schiaparelli Couture dhe një kapelë të bardhë me strehë të gjerë, duke sjellë në vëmendje stilin ikonik të Bianca Jagger.
Por kjo ishte vetëm fillimi. Fundjavën e kaluar, çifti organizoi një festë madhështore treditore në Itali, ku Dua shkëlqeu akoma më shumë veshje të veçanta.
Në festën e mirëseardhjes të premten mbrëma në Palermo të Sicilisë, Dua veshi një fustan të bardhë lëkure nga Bottega Veneta. Fustani i personalizuar që lidhej pas qafe kishte një shpinë plotësisht të hapur, thurjen karakteristike të markës dhe një fund të mbuluar me pupla. Ajo e kompletoi pamjen me një çantë të ngjashme me pupla dhe bizhuteri ari nga Bulgari.


Ndërsa në piknikun e dasmës të së dielës, nusja e re zgjodhi një fustan transparent me dantellë me lule nga Chloé, të cilin e kombinoi me një çantë unike në formë mjellme nga e njëjta shtëpi mode.
Për ceremoninë kryesore të së shtunës, Dua Lipa mahniti të gjithë me një fustan përrallor nga CHANEL Haute Couture. Përmes një komunikate zyrtare, shtëpia e njohur e modës u shpreh e nderuar që kishte veshur këngëtaren në këtë ditë kaq të veçantë, duke theksuar se ky krijim unik erdhi si rezultat i marrëdhënies së tyre të ngushtë dhe mjeshtërisë së jashtëzakonshme (savoir-faire). Ky është fustani i parë i nusërisë i linjës Haute Couture që CHANEL dizajnon posaçërisht për një mikeshë të shtëpisë.

Fustani u punua tërësisht me dorë në atelietë historike në adresën “31, Rue Cambon” në Paris. Për realizimin e tij kontribuan disa nga punishtet më të famshme të artit në Francë (Maisons d’art), të cilat u morën me detajet dhe qëndisjet komplekse:
Atelier Montex: Qëndisi plotësisht me dorë plot 480,000 rruaza në fustan.
Lesage: Kreu 1,155 orë pune me gjilpërë për krijimin e bizhuterive optike (trompe l’oeil).
Lemarié: Vendosi me delikatesë 25,000 pupla që zbukuronin bishtin prej dy metrash të fustanit.
Vuali: Një vual tyli gjashtë metra i gjatë, i qëndisur me dorë me rruaza, pupla dhe aplikacione organza të prera me dorë.
Massaro: Krijoi me porosi këpucët e bardha prej sateni për të kompletuar të gjithë pamjen.
Nga ana tjetër, dhëndri Callum Turner veshi një kostum elegant të qepur me porosi nga Louis Vuitton. Këngëtarja ka ndarë në Instagram disa foto mjaft të bukura me bashkëshortin e saj, të realizuara nga fotografi i njohur David Sims. /Prive By Liberta Spahiu



