Dua Lipa, është bërë një prej zërave më të fuqishëm në mbështetje të protestave që po zhvillohen në Shqipëri kundër projektit gjigant turistik të mbështetur nga familja e Donald Trump. Gjatë një bisede në podcast-in e saj Service95 me akademiken dhe autoren Lea Ypi, këngëtarja 30-vjeçare i ka cilësuar protestat e qytetarëve si “mjaft frymëzuese”.
Në qendër të reagimit të Dua Lipës ka qenë mënyra se si qeveria shqiptare menaxhoi situatën ligjore për t’i hapur rrugë projektit prej 1.6 miliardë eurosh në ishullin e Sazanit dhe gadishullin e Zvërnecit. Ajo u shpreh e shqetësuar për faktin se si ligjet mjedisore mund të ndryshohen kaq lehtësisht pa asnjë lloj konsultimi me qytetarët.
“Ajo që më duket vërtet shqetësuese është parimi që qeveria thjesht mund të ndryshojë ligjin për të hequr mbrojtjen mjedisore, pa asnjë lloj konsulte publike,” deklaroi Dua gjatë podcast-it.
Këngëtarja theksoi se është thelbësore që politikanët të mbajnë përgjegjësi për vendime të tilla dhe të shtrohen pyetje të qarta se kush përfiton realisht nga këto projekte dhe si e bëjnë ato vendin më të mirë.
Lëvizja e njohur ndryshe si “Revolucioni i Flamingove” ka marrë këtë emër për shkak të rrezikut që i kanoset ekosistemit dhe shpendëve të rrallë në zonat e mbrojtura ku parashikohet ndërtimi i resorteve dhe rreth 10,000 vilave. Dua Lipa shprehu adhurimin e saj edhe për vetë emërtimin e kësaj lëvizjeje qytetare, duke thënë se ky emër mbart një simbolikë tejet të bukur dhe përmbledh më së miri vendosmërinë e njerëzve që po protestojnë, është ‘frymëzuese’ tha Dua.
Deklarata e Dua Lipës u prit me entuziazëm të madh në Tiranë, ku protestat kanë hyrë në javën e tyre të gjashtë. Aleksandër Trajçe, udhëheqësi i organizatës për ruajtjen e mjedisit PPNEA, e vlerësoi reagimin e këngëtares si “fantastik dhe në kohën e duhur”, duke shtuar se ajo shërben si një idol dhe burim i madh frymëzimi për të rinjtë shqiptarë që të vazhdojnë rezistencën.
Ndërkohë, ky projekt i mbështetur nga Jared Kushner dhe Ivanka Trump ka ngritur shqetësime edhe në nivel ndërkombëtar. Eurodeputetët kanë paralajmëruar Shqipërinë se mosrespektimi i standardeve mjedisore mund të rrezikojë seriozisht procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian, i cili synohet të arrihet brenda vitit 2030. /Prive By Liberta Spahiu


