Prej disa javësh në rrjet ka filluar të ziejë një thashethem që i ka gëzuar pamasë ndjekësit besnikë të këtij produksioni. Bëhet fjalë për rikthimin e një prej serialeve më popullore në historinë e televizionit tonë, i cili vazhdon të shikohet dhe të kërkohet me të njëjtin entuziazëm, edhe pse ka kaluar mbi një dekadë që nga ndërprerja e transmetimit.
E gjithë kjo valë nostalgjie dhe shprese nisi pas një interviste të fundit të producentit dhe aktorit Shkumbin Istrefi, në podcastin “Voice of Gogaj” me Albinë Bricori Sadikajn.
Aty u hodh shkëndija e parë, por me sa duket, gjërat kanë ecur më shpejt nga sa mendonim fillimisht. Nuk bëhet fjalë më vetëm për një ide në ajër apo dëshirë të mirë, por për hapa dhe punë konkrete. Ideja aktuale është që ky projekt të rikthehet në formatin e një filmi të metrazhit të gjatë, duke sjellë një dimension të ri për publikun, siç edhe u la të kuptohet në podcastin e drejtuar nga Albina.
Prive By Liberta Spahiu mëson se puna në skenar vetëm se ka nisur dhe ngjarjet po marrin formë. E nëse po mendoni se koha ka bërë të veten dhe në këtë rikthim do të kemi mungesa të fytyrave të dashura, vjen një lajm jashtëzakonisht i mirë. Ndonëse do të ndjehet pashmangshmërisht zbrazëtia e atyre aktorëve të dashur që fatkeqësisht nuk jetojnë më, disponimi i kastit është tejet pozitiv. Synimi është që të gjithë protagonistët e tjerë origjinalë të bëhen bashkë për këtë projekt.
Nëse gjithçka shkon siç duhet, sipas burimeve tona filmi do ta ketë premierën vitin tjetër. Aktualisht, paralel me skenarin, po punohet me intensitet edhe në gjetjen e financimit të këtij projekti për të garantuar një standard të lartë realizimi. Me një nostalgji kaq të madhe dhe me dashurinë e pashtershme të publikut ndër vite, nuk ka se si të rezultojë ndryshe pos një sukses i garantuar.
Neve na mbetet të presim detajet e radhës dhe të shpresojmë që gjithçka do të shkojë mirë, pasi siç thotë populli, fillimi i mbarë është gjysma e punës.


