Sunny Hill Festival përmbylli mbrëmë edhe një tjetër edicion të suksesshëm në Prishtinë, me tri net plot yje botërorë dhe dhjetëra mijëra pjesëmarrës.
Megjithatë, shumë fansa vunë re mungesën e Callum Turner, i cili këtë vit nuk e shoqëroi Dua Lipën në festival.
Ndryshe nga viti i kaluar, kur aktori britanik ishte i pranishëm në Prishtinë dhe u pa duke shijuar atmosferën e Sunny Hill përkrah Duas, këtë herë ai ndodhej mijëra kilometra larg, në New York.
Arsyeja ishte profesionale, raporton Prive By Liberta Spahiu. Turner është i angazhuar në promovimin e filmit të tij më të ri, komedisë romantike “One Night Only”, ku luan rolin kryesor përkrah Monica Barbaros.
Filmi pritet të dalë në kinema më 7 gusht, ndërsa aktori ka nisur një tur intensiv promocional me evente, takime me fansa dhe paraqitje publike në SHBA.
Pamjet e publikuara në rrjete sociale e tregojnë Callumin në disa aktivitete promovuese në New York, ndërsa në të njëjtën kohë Dua Lipa ishte protagoniste e Sunny Hill Festival në Prishtinë.
Kështu, nëse vitin e kaluar çifti shijoi së bashku atmosferën e festivalit, këtë herë angazhimet profesionale i mbajtën në dy kontinente të ndryshme. /Prive By Liberta Spahiu



