Erling Haaland ka befasuar miliona ndjekës me një ndryshim drastik në pamje.
Ylli norvegjez i Manchester Cityt i ka dhënë fund flokëve të gjatë biondë, duke u shfaqur këtë të diel me një prerje shumë të shkurtër.
Ndryshimi ka marrë menjëherë vëmendje të madhe në rrjete sociale, jo rastësisht. Prej vitesh, flokët e gjatë të lidhur pas kokës ishin bërë një prej elementeve më karakteristike të pamjes së Haaland, aq sa ishin kthyer pothuajse në një “markë” të tij krahas paraqitjeve në fushë.
Vetëm pak javë më parë, gjatë Botërorit, Haaland kishte treguar edhe këshillën interesante që kishte marrë nga Zlatan Ibrahimović: të mos i priste flokët, pasi sipas batutës së suedezit, “fuqia është te flokët”.
Por Haaland duket se nuk e ka dëgjuar Zlatanin.
Futbollisti e dokumentoi procesin e transformimit dhe publikoi rezultatin në Instagram, duke shkruar: “Short hair don’t care”, ndërsa në një tjetër postim e përshkroi ndryshimin me fjalët “sezon i ri, prerje e re”.
Reagimet kanë qenë të menjëhershme, me tifozë që mezi e kanë njohur në pamjen e re dhe të tjerë që po bëjnë krahasime e meme në rrjete sociale.
Koha e zgjedhur për transformimin e bën atë edhe më interesant: Haaland e ka zbuluar pamjen e re vetëm pak orë para ndeshjes së parë të Manchester Cityt në sezonin e ri të Premier League.
Një gjë është e sigurt: një prej pamjeve më të njohura të futbollit botëror tashmë i përket së kaluarës. /Prive By Liberta Spahiu


