Deri para pak vitesh, divorci ishte një nga ato kapituj të jetës që shumë njerëz përpiqeshin ta kalonin larg syrit të publikut. Por rrjetet sociale duket se po e ndryshojnë edhe këtë.
Një kategori e re krijuesish përmbajtjeje, të quajtur tashmë “divorce influencers”, po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në TikTok dhe Instagram. Ato dokumentojnë jetën pas ndarjes, ndryshimin e pamjes, rikthimin në takime, udhëtimet dhe madje momentet kur finalizohet divorci.
Disa prej këtyre historive po sjellin miliona shikime, ndërsa për krijueset e përmbajtjes vëmendja është shndërruar edhe në marrëveshje me marka, libra dhe produkte të ndryshme.
Fenomeni ka shkuar edhe më larg. Këtë vit është folur shumë për të ashtuquajturat “divorce rings”, unaza që krijohen pas përfundimit të martesës. Në disa raste gratë po përdorin gurët e unazës së fejesës për të krijuar një bizhuteri krejt të re, e cila simbolizon një kapitull tjetër të jetës.
Edhe bota e modës e ka përqafuar fenomenin. Vera e vitit 2026 është lidhur gjithnjë e më shumë me termin “Hot Divorcée Summer”, duke e kthyer ndarjen në një simbol ndryshimi personal dhe rikthimi tek vetja.
Nga festat e divorcit tek unazat e reja dhe videot “para dhe pas”, duket se edhe mënyra se si po prezantohet fundi i një martese në publik po ndryshon rrënjësisht.
/Prive By Liberta Spahiu.


