Këngëtarja Rina ka reaguar përmes disa postimeve në Instagram Story pas protestës së mbajtur sot për 25-vjeçaren Jetlira Foniqi, e cila dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj.
Ky i fundit, i cili ishte i dyshuari kryesor në rast, ka ndërruar jetë më 27 gusht, ndërsa rrethanat e plota të ngjarjes janë ende nën hetim nga autoritetet.
Në reagimin e saj të parë, Balaj shprehu dhimbjen e madhe që ndjeu teksa pa nënën e Jetlirës në protestë.
Ajo e përshkroi si një nënë të thyer, e cila kishte rritur vajzën me gjithë dashurinë e botës dhe që tani detyrohej të dilte në rrugë për të kërkuar drejtësi për të.
Këngëtarja theksoi se Jetlira duhej të ishte ende gjallë dhe se priste të bëhej nënë vetë.
Ajo u shpreh se është e pamundur të përshkruhet me fjalë dhimbja e një nëne që duhet të varrosë fëmijën e saj, veçanërisht kur e di se dikush ia ka marrë jetën.
Balaj tha se pamja e nënës së Jetlirës në protestë ia kishte “këputur shpirtin”, duke theksuar se asnjë nënë nuk duhet të detyrohet të dalë në rrugë për të kërkuar drejtësi për vajzën e saj.
Në fund, ajo i uroi asaj lehtësim për dhimbjen e madhe që po përjeton dhe shpresoi që drejtësia të mos e harrojë kurrë Jetlirën.
Në një tjetër postim, Rina iu përgjigj edhe personave që e kishin pyetur se përse nuk ishte e pranishme në protestë.
Ajo sqaroi se jo çdo dhimbje dhe përkrahje duhet të dëshmohet domosdoshmërisht përmes pranisë fizike apo fotografive.
Këngëtarja shpjegoi se e njeh mirë realitetin dhe se, edhe në momente të rënda si ky, prania e një figure publike mund të keqinterpretohet.
Sipas saj, njerëzit mund të afrohen për fotografi ose të krijojnë tollovi dhe, në fund, prania e saj mund të duket sikur ka dalë për vëmendje, ndonëse kjo është gjëja e fundit që do të dëshironte në një ditë të tillë.
Ajo theksoi se dita e protestës nuk ishte për të dhe as për ndonjë figurë tjetër publike, por për nënën e Jetlirës, për vajzën e saj dhe për drejtësinë që po kërkohet.
Balaj gjithashtu bëri të qartë se mosprania e saj nuk nënkupton mungesë dhimbjeje, përkrahjeje apo sensibilizimi.
Ajo tha se ndonjëherë respekti tregohet pikërisht duke mos e kthyer dhimbjen e dikujt tjetër në spektakël.
Në fund, këngëtarja tregoi se zemra e saj atë ditë ishte me familjen e saj, duke përcjellë kështu mesazhin se kishte zgjedhur të qëndronte pranë njerëzve të saj, ndërsa shprehte në mënyrën e saj solidaritetin me familjen e Jetlirës. /Prive By Liberta Spahiu




