Shënim: Ky është një rrëfim anonim i publikuar në internet, i përshtatur dhe ritreguar në shqip. Për të ruajtur privatësinë e personave të përfshirë, disa të dhëna identifikuese nuk bëhen publike.
Jam në fund të të 30 ave dhe kam 12 vite i martuar me gruan time. Kemi tre fëmijë dhe, deri para se të ndodhte e gjithë kjo, besoja se kishim një martesë të mirë. Sigurisht kishim problemet tona. Me tre fëmijë, punë, obligime dhe gjithë rutinën e një familjeje, kishte ditë më të mira dhe ditë më të këqija. Por kurrë nuk e kisha menduar se ajo kishte dikë tjetër.
Pastaj zbulova se gruaja ime kishte pasur një lidhje që kishte zgjatur rreth një vit. Një vit të tërë. Ky ishte ndoshta detaji më i vështirë për ta pranuar. Nuk kishte qenë një natë, një moment dobësie apo një gabim që kishte ndodhur dhe kishte përfunduar. Për muaj me radhë ajo kishte pasur një tjetër njeri në jetën e saj, ndërkohë që ne vazhdonim të ishim burrë e grua dhe të kujdeseshim për tre fëmijët tanë.
Kur e mora vesh, martesa jonë u shemb. U ndamë para rreth tetë muajsh. Muajt e parë ishin të tmerrshëm. Debatonim shumë, kishte biseda që përfundonin me lot, pyetje pa përgjigje dhe momente kur mendoja se nuk do të mund ta shikoja më në të njëjtën mënyrë. E vetmja gjë që përpiqeshim ta ruanim ishte raporti me fëmijët. Pavarësisht problemeve mes nesh, unë mund t’i shihja sa herë të doja dhe të dy përpiqeshim që ata të mos e përjetonin ndarjen më rëndë seç duhej.
Mendova se kështu do të vazhdonte jeta jonë, veç. Por muajin e kaluar ndodhi diçka që nuk e prisja. Para se të ndaheshim, kishim rezervuar dhe paguar një pushim familjar dhe, për shkak të fëmijëve, vendosëm të mos e anulonim. Sinqerisht, prisja që të ishte një katastrofë. Mendoja se do të kalonim disa ditë duke u shmangur, duke debatuar dhe duke numëruar orët deri në kthim.
Ndodhi e kundërta. Kaluam jashtëzakonisht mirë. Për herë të parë pas shumë muajsh, ndihej sikur ishim sërish familja që kishim qenë dikur. Qeshnim, flisnim normalisht dhe kalonim kohë të gjithë bashkë. Për disa ditë pothuajse harrova gjithë atë që kishte ndodhur mes nesh.
Kur u kthyem nga pushimi, ajo më tha se donte të provonim përsëri. Më tha se ato ditë me mua dhe fëmijët e kishin bërë të kuptonte se çfarë kishte humbur. Nuk po e fsheh, u gëzova jashtëzakonisht shumë. Pavarësisht tradhtisë, unë ende e doja.
Filluam të takoheshim më shpesh. Flisnim për atë që kishte shkuar keq mes nesh dhe për mundësinë që familja jonë të bëhej përsëri bashkë. Një natë përfunduam edhe në shtrat. Për herë të parë pas shumë kohësh u ndjeva sërish afër saj. Ishte sikur për disa orë të ishim kthyer në fillimet e lidhjes sonë.
Dhe aty fillova të besoja vërtet se ndoshta mund ta falja. Mendova se lidhja e saj me atë burrë kishte përfunduar. Mendova se, nëse ajo kishte zgjedhur të kthehej tek unë, atëherë ai kapitull ishte mbyllur.
Pastaj mora vesh të vërtetën. Dhe këtë herë nuk ma tregoi ajo. Ma tregoi ai.
Burri me të cilin gruaja ime më kishte tradhtuar më kontaktoi dhe më tha se, ndërkohë që unë dhe ajo po përpiqeshim të rindërtonim martesën tonë, ajo vazhdonte të komunikonte me të. Në fillim nuk doja ta besoja. Pastaj erdhi pjesa që më goditi edhe më shumë: ajo i kishte kërkuar të takoheshin.
Ai kishte refuzuar. Jo sepse gruaja ime kishte vendosur të mos vazhdonte më me të, por sepse ai tashmë kishte nisur një lidhje me dikë tjetër.
Në atë moment gjithçka që kishim bërë gjatë javëve të fundit mori një kuptim tjetër. Pushimi, bisedat tona, fjalët e saj se kishte kuptuar çfarë kishte humbur, afrimiteti mes nesh dhe planet për t’u ribashkuar. Ndërkohë ajo ende po i shkruante atij.
Kur e konfrontova, kërkoi falje përsëri. Më tha se nuk kishte dashur që mes tyre të ndodhte sërish diçka, por nuk arrij ta kuptoj këtë pjesë. Nëse nuk dëshironte asgjë me të, pse vazhdonte t’i shkruante? Dhe përse i kishte kërkuar të takoheshin?
Nëse ai do të kishte pranuar, çfarë do të kishte ndodhur? Kjo është pyetja që më sillet vazhdimisht në kokë.
Herën e parë vendosa të provoja ta falja për një lidhje që kishte zgjatur një vit. Këtë e bëra sepse kemi 12 vite martesë, tre fëmijë dhe sepse, pavarësisht gjithçkaje, ende e dua. Por këtë herë është ndryshe.
Ajo e dinte sa shumë më kishte lënduar. E dinte sa e vështirë kishte qenë ndarja. E dinte se unë po merrja përsipër rrezikun ta besoja përsëri. Dhe pikërisht në kohën kur po më thoshte se dëshironte të rindërtonim familjen tonë, ajo mbante ende një derë të hapur me njeriun që na kishte ndarë.
Tani më thotë se më do dhe se dëshiron vetëm martesën tonë. Unë ende kam ndjenja për të, por nuk di nëse mund ta besoj më. Sepse herën e parë më duhej ta falja për tradhtinë. Këtë herë duhet ta fal për faktin se më bëri të besoja se tradhtia kishte marrë fund.
/Prive By Liberta Spahiu


