Shënim: Ky është një rrëfim anonim i ndarë në Reddit, i përshtatur dhe ritreguar në shqip për ta bërë më të rrjedhshëm. Identiteti i personave nuk bëhet publik.
Jam 30 vjeçe dhe prej gati tetë vitesh jam me të njëjtin person. Nëse do të më pyesnit për marrëdhënien tonë, nuk do të thosha se kemi një lidhje të keqe. Përkundrazi. Ai është njeriu me të cilin kam kaluar pothuajse gjithë të 20 at e mia, miku im më i mirë dhe personi me të cilin gjithmonë e kam imagjinuar të ardhmen.
Kur u njohëm ishim rreth 22 vjeç. Në atë kohë unë isha ajo që nuk e kishte shumë mendjen te martesa. Vija nga një familje ku martesa nuk kishte qenë domosdoshmërisht shembulli më i mirë dhe në kokën time kisha shkollën, punën dhe dëshirën për t’u bërë e pavarur. Ai, në fakt, ishte ai që fliste më shumë për të ardhmen tonë.
Me kalimin e viteve gjërat ndryshuan. U rritëm bashkë, kaluam periudha të vështira, ndryshuam punë, bëmë plane dhe filluam ta ndërtonim jetën si çift. Edhe mendimi im për martesën ndryshoi. Nuk e shihja më si diçka që duhej shmangur. Fillova ta dëshiroja pikërisht me të.
Rreth katër vite më parë nisëm të flisnim seriozisht për fejesën. Ai më tha se po mendonte të më propozonte brenda gjashtë muajve. Nuk e shtyva dhe nuk kërkova datë. Mendova se kur një njeri ta thotë këtë vetë, do të thotë se e ka marrë vendimin.
Kaluan gjashtë muaj. Asgjë.
Kur tema u hap përsëri, më tha se nuk ishte ende momenti i duhur. Kishim shumë gjëra për të zgjidhur dhe financiarisht donte të ndihej më i sigurt. E kuptova. Nuk doja unazë të shtrenjtë dhe as ndonjë dasmë që të na fuste në borxhe, por më dukej normale që ai të dëshironte të ishte më i qetë.
Kaloi edhe një vit.
Përsëri folëm për martesë. Pamë modele unazash bashkë. Folëm se ku do të donim të shkonim për muaj mjalti. Madje në biseda të zakonshme ai thoshte gjëra si “kur të martohemi” apo “kur të kemi fëmijë”.
Por propozimi nuk erdhi.
Sa herë afrohej momenti që kjo bisedë të bëhej konkrete, dilte një arsye tjetër.
Njëherë ishte puna. Pastaj financat. Pastaj nuk ishte koha e duhur. Pastaj kishte shumë presion rreth idesë së propozimit. Dhe çdo herë unë i thosha vetes se nuk duhet ta bëja të madhe, sepse në fund të fundit ne ishim mirë bashkë.
Problemi është se tani nuk po flasim më për një lidhje dy apo trevjeçare.
Janë tetë vite.
Dhe unë jam 30 vjeçe.
Dua të kem familje dhe fëmijë. Nuk dua të zgjohem pas katër apo pesë vitesh dhe të kuptoj se kam kaluar një dekadë me një njeri që në fund nuk ka qenë kurrë i sigurt nëse dëshironte të martohej me mua.
Kohët e fundit e hapa përsëri bisedën. Këtë herë nuk e pyeta për unazën. Nuk më interesonte propozimi perfekt dhe as ceremonia. E pyeta thjesht nëse ai e shihte realisht martesën në të ardhmen tonë dhe kur mendonte se mund të ndodhte.
Përgjigjja e tij më habiti.
Më tha se ishte zënë në befasi dhe se nuk e kishte kuptuar që martesa ishte kaq e rëndësishme për mua.
Nuk dija çfarë t’i thosha.
Si mund të ishte surprizë pas viteve të tëra bisedash? Kishim parë unaza. Kishim folur për dasmën. Kishim folur për fëmijët. Ai vetë më kishte thënë disa herë se propozimi do të vinte “brenda gjashtë muajve”.
Kur ia kujtova të gjitha këto, përsëri u kthye te financat.
Por edhe kjo arsye ka filluar të mos më bindë më. Ai ka një punë të mirë. Edhe unë jam në prag të një faze shumë më të mirë në karrierën time dhe të ardhurat tona nuk janë problemi që kanë qenë disa vite më parë. Nuk po kërkoj një dasmë me qindra të ftuar dhe as një unazë që kushton sa një veturë.
Po kërkoj vetëm të di nëse po ecim drejt të njëjtit vend.
Kjo është pjesa që po më mundon më shumë. Në kulturën tonë, kur je kaq gjatë me dikë, pyetjet vijnë edhe nga jashtë. “Kur po martoheni?”, “Çfarë po prisni?”, “Tetë vite dhe ende asgjë?”. Për shumë kohë i kam injoruar, sepse gjithmonë kam menduar se jeta jonë është puna jonë.
Por tani pyetjen kam filluar t’ia bëj vetes.
Çfarë po presim?
Nuk dua që ai të martohet me mua sepse e kam lodhur duke ia kërkuar. Nuk dua as një propozim vetëm sepse i kam vendosur një ultimatum. Dua të di se personi me të cilin kam kaluar tetë vite e dëshiron të njëjtën gjë që dua edhe unë.
Dhe ndoshta frika ime më e madhe nuk është se ai nuk do të propozojë.
Është se ai po e shtyn sepse nuk dëshiron të më humbasë, por njëkohësisht nuk është aq i sigurt sa të më zgjedhë përfundimisht.
Kam kaluar pothuajse të gjitha të 20 at e mia me të. E dua dhe nuk dua t’i hedh tetë vite poshtë.
Por po filloj të kuptoj se edhe të presësh pafund për dikë është një zgjedhje.
Dhe nuk e di sa gjatë dua ta bëj më këtë. /Prive By Liberta Spahiu


