Hetimet për vdekjen e aktorit të njohur turk Serhat Kılıç po vazhdojnë, ndërsa një deklaratë e re e partneres së tij, Özlem Esmergül, ka marrë vëmendjen e mediave në Turqi.
Kılıç, 51 vjeç, u gjet pa shenja jete më 5 shtator në banesën e tij në lagjen Kağıthane të Stambollit. Ishte pikërisht Esmergül ajo që kishte hyrë në banesë me çelësin rezervë dhe e kishte gjetur aktorin të pajetë në divan, përpara se të njoftonte policinë.
Sipas raportimit të Habertürk, deklarata e saj para prokurorit ndryshon në një pikë të rëndësishme nga ajo që kishte dhënë fillimisht në polici. Në polici, ajo kishte thënë se Kılıç nuk kishte varësi nga alkooli apo substancat narkotike. Para prokurorit, megjithatë, Esmergül deklaroi se gjatë kohës që e kishte njohur, aktori kishte konsumuar alkool dhe substanca narkotike, ndërsa pretendoi se gjatë gjashtë muajve të fundit kishte përdorur edhe kokainë.
Ajo ka treguar gjithashtu se Kılıç kohët e fundit kishte probleme serioze me hernien e qafës dhe po trajtohej në një spital privat në Şişli. Sipas saj, gjendja shëndetësore kishte ndikuar edhe në punën e aktorit, i cili nuk kishte mundur të merrte pjesë rregullisht në xhirime dhe kishte pasur mosmarrëveshje lidhur me këtë situatë.
Edhe raporti i këqyrjes së vendit të ngjarjes ka sjellë detaje të tjera. Në banesë janë gjetur materiale bimore që autoritetet i kanë konsideruar të dyshuara për substanca narkotike, si dhe sende që dyshohet se mund të kenë qenë përdorur për konsum. Megjithatë, këto mbeten gjetje të hetimit dhe analizat përfundimtare nuk janë bërë publike.
Një element tjetër i raportit është se në derën e banesës nuk janë konstatuar shenja të hyrjes me forcë, ndërsa hyrjet dhe daljet në kompleks kontrolloheshin edhe përmes kamerave të sigurisë.
Për momentin, shkaku zyrtar i vdekjes së Serhat Kılıç nuk është bërë publik. Hetimet vazhdojnë, ndërsa deklaratat për përdorimin e substancave nuk duhet të interpretohen si shkak i konfirmuar i vdekjes pa rezultatet e ekspertizës mjekoligjore. /Prive By Liberta Spahiu


