Mëngjesi i sotëm ka nisur me tensione për këngëtarin dhe ish-banorin e “Big Brother VIP Kosova”, Labinot Rexha. Përmes një rrëfimi në një lidhje telefonike për Prive By Liberta Spahiu, artisti i njohur ka zbuluar detajet e një përleshjeje fizike dhe verbale të ndodhur në Rahovec, ku pretendon se u sulmua ai, nëna e tij dhe mbesa e tij.
Gjithë ngjarja, sipas këngëtarit, ka ndodhur rreth një kontesti pronësor prej 16 metrave katrorë me fqinjët e tij. Ai sqaroi se ky konflikt ka zanafillë të hershme që nga periudha e paraluftës, kur babai i tij i ndjerë dhe pala tjetër kishin lënë hapësirë për një rrugë të përbashkët.
Në fjalën e tij, arti tregoi se si rrodhi situata përpara se të ushtrohej dhunë ndaj tij:
“Që në mëngjes jam zgjuar për me shku në dasmë, pasi kam një dasmë në Prizren ditën, dhe duke dalë nga shtëpia, jemi në proces gjyqësor, një kontest për një 16 metra katrorë”.
Sipas tij, përpjekja për ta zgjidhur çështjen me mirëkuptim përfundoi me goditje fizike. “Mora një goditje, një boks… edhe fyerje, sharje më brutale, më të këqija që kurrë në jetën time dikush nuk më ka sharë, nuk më ka fyer.”
Këngëtari po ashtu ngriti akuza se sulmi nuk përfshiu vetëm atë, por edhe anëtarët e tjerë të familjes së tij:
“Nëna ime është sulmuar sot nga tre persona dhe dy gra… I pres nga prokuroria që ata mos t’i lirojnë, sepse është sulmuar dhe vajza e xhaxhit tim.”
Ndërkohë nuk ka reagim nga pala tjetër për pretendimet e këngëtarit. /Prive By Liberta Spahiu


