Organizatorët e Festivalit të Këngës në RTK, i cili nga ky vit mban emrin e ri “Akordet e Kosovës”, kishin planifikuar që në edicionin e këtij viti të ftonin në Prishtinë Rita Orën si mysafire speciale.
“Zëri” ka mësuar se për këtë qëllim, organizatorët kishin zhvilluar negociata me menaxhmentin e këngëtares, me synimin që ajo të ishte e pranishme në festival gjatë muajit tetor.
Megjithatë, bisedimet nuk kanë përfunduar me marrëveshje.
Sipas Zeri.info, pengesë ka qenë kostoja e lartë e kërkuar nga menaxhmenti i këngëtares, të cilën organizatorët nuk kanë pasur mundësi ta përballojnë.
Për ta bërë të mundur pjesëmarrjen e saj, ata kanë tentuar të gjejnë një alternativë më ekonomike, duke synuar që Rita të udhëtonte drejt Kosovës pa një staf të madh shoqërues.
Edhe ky opsion, megjithatë, ka rezultuar i paarritshëm për shkak të buxhetit.
Drejtoresha e “Akordeve të Kosovës”, Arta Avdiu, ka folur për këtë çështje edhe para Bordit të RTK-së.
Ajo ka treguar se kishte insistuar të kontaktonte edhe familjen e këngëtares, ndonëse nuk e përmendi me emër, duke theksuar se shuma e kërkuar ishte përtej mundësive financiare të festivalit.
“Nuk është që s’kam insistu me familjen e saj për të qenë, por ajo ka kosto shumë të kushtueshme. Natyrisht që ka kërkuar kosto të madhe dhe ne s’kemi pas mundësi as me mendu tutje”, ka deklaruar Avdiu para anëtarëve të Bordit.
Ndërkaq, në muajin maj të këtij viti, RTK-ja ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me Ministrinë e Kulturës, përmes të cilit transmetuesi publik do të marrë 1.2 milion euro për një periudhë trevjeçare.
Bëhet fjalë për 400 mijë euro në vit, duke filluar nga ky vit, të dedikuara për festivalin “Akordet e Kosovës”.
Edhe pse festivali ka ndryshuar emrin, rregullorja e tij mbetet e njëjtë me atë të mëparshmen të Festivalit të Këngës.
/Prive By Liberta Spahiu


