Pas shpalljes së aktgjykimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka ardhur një reagim nga djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, Endrit Thaçi.
Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, ai ka shprehur qëndrimin e familjes përballë vendimit të gjykatës dhe rrugëtimit të mëtejmë.
Në postimin e tij, të shoqëruar me një fotografi simbolike të të atit me grushtin lart, Endriti ka falënderuar përzemërsisht të gjithë bashkëatdhetarët që udhëtuan drejt Hagës dhe pritën me orë të tëra jashtë ndërtesës së gjykatës. Ai vlerësoi lart të gjithë ata që nuk e ndalën zërin e tyre mbështetës, veçanërisht në momentet kritike pas shpalljes së vendimit.
Endriti shprehu mirënjohjen e tij të thellë për të gjithë ata që i kanë qëndruar pranë familjes së tij përgjatë viteve. Ai e cilësoi të gjithë procesin si një “rrugëtim të padrejtë” për babain e tij dhe shokët e tij të luftës, duke theksuar se përkrahja e popullit ka qenë një mbështetje e paçmueshme.
Më tej, ai paralajmëroi se kjo betejë nuk përfundon këtu. Endriti u zotua se sapo të kthehet do t’i bashkohet zërit të qytetarëve, duke theksuar se ashtu si i ati u përball sot me këtë ditë me kokën lart, edhe familja e tij do të vazhdojë përpara me të njëjtin dinjitet, maturi dhe qëndrueshmëri.
Në përmbyllje të mesazhit, Endriti nënvizoi se sakrifica e UÇK-së është e gdhendur te ushtarët dhe e vulosur me gjakun e dëshmorëve.
Sipas tij, kjo trashëgimi dhe kjo histori e lavdishme nuk mund të tjetërsohet apo të ndryshohet nga asnjë vendim gjyqësor.
/Prive By Liberta Spahiu



