Këngëtarja e njohur Leonora Jakupi ka reaguar me tone të ashpra dhe mjaft emocionale në emisionin “Canapé”, pas shpalljes së aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Përmes një deklarate pa doreza, artistja ka shprehur dhimbjen e saj për procesin, ndërsa ka adresuar me kritikë të fortë si dëshmitarët shqiptarë, ashtu edhe kolegët e saj që sipas saj po tregohen “patetikë”.
E tronditur nga rrjedha e procesit gjyqësor, Leonora u ndal te numri i madh i dëshmitarëve shqiptarë që dhanë dëshmi në procesin ndaj krerëve të luftës çlirimtare.
“Thuajse 90% e dëshmitarëve në Hagë ishin shqiptarë dhe është shumë e rëndë. Por, si duket, ky popull paska pasur shumë spiunë. Është shumë e rëndë që një shqiptar të ketë dëshmitarë shqiptarët e tjerë,” u shpreh ajo.
Ajo bëri të qartë se nuk do të tolerojë asnjë fyerje apo fjalë të keqe ndaj atyre që sakrifikuan gjithçka për lirinë e vendit, duke paralajmëruar distancim edhe nga njerëzit e saj më të afërt.
“Kam vendosur që për çdo njeri që më çon mesazh apo thotë një fjalë të keqe për njerëzit që kanë dhënë më të shenjtën, unë distancohem publikisht nga ta, qofshin edhe pjesëtarë të familjes sime. Është vërtet shumë e rëndë,” deklaroi këngëtarja.
Gjithashtu, Leonora nuk kurseu as kritikat ndaj komunitetit të artistëve, duke rikujtuar se si shumë prej tyre hezituan të mobilizoheshin vite më parë për këtë kauzë, ndërsa sot po bëjnë reagime sipërfaqësore në rrjete sociale.
“Pikërisht për këtë kauzë i kam realizuar këngët para katër viteve dhe u kam kërkuar kolegëve të mi, u kam bërë thirrje që mos ta bëja vetë projektin, por të ishim disa artistë që përmes artit të çonim mesazhe e të ishim në përkrahje të çlirimtarëve. Shumë nga ta hezituan. Tani shoh që bëjnë statuse e qesin logot”.
“Është shumë patetike,” përfundoi ajo reagimin e saj. /Prive By Liberta Spahiu
@televizionit7 Leonora: NGA SOT edhe familjarët kam me i distancu kush flet KEQ për UÇK-në” #T7 #Canape ♬ original sound – T7 — Faqja zyrtare


