Deklaratat e avokatit Alban Duraj për rastin e Bleona Matës kanë shkaktuar reagime të forta, pasi ai pretendoi se vajza e zhdukur prej vitesh është gjetur dhe se është e birësuar nga një çift grek.
Duraj tha se këtë informacion e kishte marrë nga një komunikim me nënën e Bleonës, Bukurie Matën, ndërsa deklaratat e tij u mohuan menjëherë nga avokati i familjes, Idajet Beqiri.
Beqiri i cilësoi deklaratat e Durajt si të papërgjegjshme, duke theksuar se ai nuk ka lidhje me çështjen e familjes Mata.
Më pas, pasditen e sotme, nëna e Bleonës dhe avokati Duraj u përballën publikisht në emisionin “Ftesë në 5” me Bieta Sulon.
Zonja Bukurie tha se ishte e tronditur nga deklaratat e avokatit dhe mohoi kategorikisht se kishte komunikuar me të. Ajo kërkoi që Duraj të mos fliste në emër të saj dhe tha se, nëse pretendimet do të vazhdonin, do të ndiqte çështjen edhe në rrugë ligjore.
Nga ana tjetër, Duraj këmbënguli se e kishte të regjistruar komunikimin me të. Ai sqaroi se nuk ishte prezantuar asnjëherë si avokati i familjes Mata dhe se kishte qenë i ftuar në një emision si ekspert.
Avokati pretendoi se kishte komunikuar me Bukurien gjatë dhe pas një emisioni në RTSH, duke thënë se ajo e kishte falënderuar për kontributin e ofruar.
Por Bukurie Mata e mohoi sërish këtë version, duke deklaruar se nuk e njeh Durajn dhe se nuk ka komunikuar me të.
Përballë kësaj, Duraj tha se qëllimi i tij nuk kishte qenë protagonizmi apo përfitimi nga rasti, por sipas tij, vetëm ofrimi i mbështetjes, përfshirë edhe përpjekjet për të siguruar ndihmë financiare për familjen.
“Nuk kam komunikuar me ty. Pranoje, pastro ndërgjegjen, nuk ke komunikuar me mua përmes Flori Gjinit, do të ndjek penalisht. Je i pandërgjegjshëm”, tha Zonja Bukurie.
Debati mes palëve vjen në një kohë kur rasti i Bleona Matës vazhdon të mbetet një prej çështjeve më të ndjekura të personave të zhdukur në Shqipëri, ndërsa pretendimet e bëra publikisht nga Duraj janë mohuar nga familja dhe përfaqësuesi i saj ligjor.
/Prive Bruto


