Granit Cana është rikthyer nga Gjermania, ku ka kaluar nëpër një seri kontrollesh të detajuara mjekësore, në përpjekje për të kuptuar problemin shëndetësor që thotë se e ka shoqëruar prej vitesh.
Në rrëfimin e tij, Graniti tregon se është kontrolluar nga një neurolog në Mynih dhe se për disa orë iu është nënshtruar analizave dhe procedurave të ndryshme, përfshirë edhe ekzaminime që lidhen me funksionimin e nervave të syve.
Sipas tij, mjekët fillimisht kishin ngritur dyshime edhe për një sëmundje autoimune që mund të shkaktonte inflamacion, por analizat e mëtejshme nuk e kanë konfirmuar një gjë të tillë.
Graniti tregon se iu është bërë edhe analiza e lëngut cerebrospinal dhe se rezultatet nuk kanë treguar inflamacion apo ndonjë masë serioze. Pavarësisht kontrolleve të shumta, ai është kthyer nga Gjermania pa një diagnozë përfundimtare që do t’i jepte përgjigje të qartë për atë që po përjeton.
Aktualisht, ai thotë se po ndjek një trajtim me suplemente të përshkruara në Gjermani, me synimin për të ndihmuar funksionimin e nervit që lidh trurin me muskujt e syve.
Për Granitin, megjithatë, pyetja kryesore mbetet ende e njëjtë: çfarë po i shkakton prej vitesh simptomat që kanë ndikuar ndjeshëm në përditshmërinë e tij?
Rrëfimin e plotë ai e ka ndarë pas kthimit nga Gjermania, duke folur hapur për një betejë që ende nuk ka marrë përgjigjen përfundimtare. /Prive By Liberta Spahiu


