Videoklipi “Sexy Mama” i reperit nga Kosova, Don Xhoni, është bërë pjesë e një debati në Maqedoninë e Veriut, pasi pjesë të tij janë xhiruar në monumentin “Makedonium” në Krushevë, objekt që është pjesë e trashëgimisë kulturore të mbrojtur të vendit.
Kënga është publikuar rreth tre muaj më parë dhe videoklipi ka grumbulluar miliona shikime, ndërsa reagimet publike lidhur me xhirimet në monument janë shtuar gjatë ditëve të fundit.
Sipas raportimeve të mediave maqedonase, hapësira e “Makedoniumit” iu dha në dispozicion ekipit të produksionit për xhirime për 500 euro. Drejtori i Institucionit Kombëtar Muzeu Historik në Krushevë, Miha Oxhaklieski, kishte konfirmuar se vendimi ishte marrë nga Bordi Drejtues i institucionit dhe se kjo nuk ishte hera e parë që hapësira përdorej për xhirime.
Pas reagimeve, Oxhaklieski njoftoi sot dorëheqjen e tij të parevokueshme nga detyra. Ai e cilësoi vendimin si një akt personal, moral dhe etik, si dhe si shprehje të përgjegjësisë ndaj institucionit dhe publikut.
Në dorëheqjen e tij, Oxhaklieski theksoi se në rastin konkret nuk ishte shkelur asnjë ligj, rregullore apo akt tjetër dhe se nuk ishte vepruar në kundërshtim me ndonjë vendim të Bordit Drejtues. Sipas tij, procedura ishte pjesë e një praktike që ishte zbatuar edhe më herët në institucion.
Megjithatë, ai pranoi përgjegjësi morale për mënyrën se si vendimi mund të ishte perceptuar nga publiku, duke theksuar se drejtimi i një institucioni publik kërkon jo vetëm respektimin e ligjit, por edhe standarde të larta morale dhe etike.
“Edhe pse nuk ka pasur qëllim për të shkelur ligjin, rregulloren apo ndonjë vendim, është bërë një lëshim i paqëllimshëm në vlerësimin e mënyrës se si një procedurë e caktuar mund të kuptohet nga publiku. Për këtë ndiej përgjegjësi morale dhe për këtë arsye e paraqes dorëheqjen”, thuhet në dorëheqjen e tij.
Në zhvillimin e fundit të këtij rasti ka reaguar edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski. Ai ka deklaruar se do t’i kërkojë ministrit të Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, shkarkimin e drejtorit dhe të anëtarëve të Bordit Drejtues të Muzeut Historik në Krushevë.
“Ajo që ndodhi atje ishte diçka që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë. Do t’i kërkoj ministrit të Kulturës dhe Turizmit të shkarkojë drejtorin e atij institucioni, së bashku me Bordin Drejtues, pasi institucione të tilla nuk duhet të keqpërdoren për qëllime të këtij lloji”, deklaroi Mickoski.
Mickoski gjithashtu u kërkoi falje qytetarëve për atë që e cilësoi si lëshim dhe tha se do të ndërmerren hapa për të parandaluar përsëritjen e rasteve të ngjashme.
Ndërkohë, rasti ka hapur debat në opinionin publik maqedonas rreth mënyrës së përdorimit të monumenteve me rëndësi historike e kulturore për projekte artistike dhe komerciale. /Prive By Liberta Spahiu


