Një zhvillim i ri vjen pas videove private që prej ditës së djeshme kanë qarkulluar me shpejtësi në rrjetet sociale dhe kanë vendosur në qendër të vëmendjes kompozitorin e njohur Adrian Hila.
Sipas Top Channel, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka nxjerrë këtë të enjte një ftesë për paraqitje për Adrian Hilën, me qëllim marrjen e tij në pyetje lidhur me materialet intime të publikuara në internet.
Efektivët raportohet se kanë shkuar edhe në banesën e kompozitorit për ta kontaktuar, por nuk e kanë gjetur aty.
Megjithatë, sipas gazetares së Top News, Kleida Muka, policia ka arritur të komunikojë me Hilën përmes telefonit. Kompozitori është shprehur se është i tronditur nga ajo që ka ndodhur dhe ka pretenduar se është bërë viktimë e hakerimit. Ai ka deklaruar gjithashtu se do të paraqitet në polici sapo të mbërrijë në Tiranë.
Rasti vjen një ditë pasi në rrjet nisën të shpërndaheshin disa materiale të regjistruara në ambiente private, të cilat kanë shkaktuar reagime të shumta dhe kanë ngritur pikëpyetje për mënyrën se si kanë përfunduar online.
Tashmë pritet që deklarimi i Hilës para autoriteteve të ndihmojë në sqarimin e rrethanave të publikimit të videove. /Prive By LS


