Reperi Stresi ka reaguar përmes rrjeteve sociale lidhur me protestën e djeshme në Tiranë, duke publikuar fotografinë e studentit Klev Metaj, i cili gjatë protestës është gjakosur dhe prangosur nga gjashtë policë.
Në mbishkrimin e fotografisë, Stresi ka shprehur pakënaqësinë e tij ndaj veprimit të policisë, duke shkruar:
“I vetëm përballë 6 policëve!!! Polici manjakësh të pashkollë”.
Por ky nuk ka qenë reagimi i vetëm i reperit lidhur me situatën e tensionuar në kryeqytetin shqiptar.
Stresi, i njohur për mbështetjen e tij ndaj Partisë Demokratike të Sali Berishës, ka publikuar gjithashtu një fotografi ku shihen disa shishe të mbushura me benzinë, të lidhura me mjete piroteknike.
Krahas fotografisë, ai ka dhënë edhe një mesazh përmes të cilit pretendon se këto mjete janë mënyra e vetme për të zmbrapsur forcat e rendit.
“Vetëm me këto i zbrapsni policët, e makinat, e çdo gjë. Jua garantoj 100%”, ka shkruar reperi.
Ndërkohë, që nga dita e djeshme, situata në Tiranë është tensionuar ndjeshëm.
Gjatë protestës, disa protestues kanë sulmuar me kokteje molotovi ndërtesën e Bashkisë së Tiranës dhe tregun te Pazari i Ri.
Dhjetëra protestues janë shoqëruar në komisariat, ndërsa disa të tjerë kanë përfunduar në spital, ku kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. /Prive By LS




