Të ndërtosh një emër në industrinë ndërkombëtare të modës nuk është rrugëtim i lehtë, veçanërisht kur gjithçka nis larg qendrave kryesore të kësaj industrie. Por pasioni dhe përkushtimi mund të bëhen shtysë për të kërkuar mundësi edhe përtej kufijve.
Këtë po e dëshmon edhe Dion Selimi nga Vitia e Kosovës, i cili ka nisur rrugëtimin e tij profesional si komentues i modës dhe freelancer, duke u angazhuar në krijimin e përmbajtjes dhe marrëdhëniet me publikun për brende të ndryshme.

Në një intervistë me shkrim për Prive By Liberta Spahiu, Dioni rrëfen për fillimet e tij, sfidat e të qenit pjesë e një industrie kaq konkurruese nga Kosova dhe përvojën që ka fituar këtë vit në Paris Fashion Week.
“Ky është viti im i parë që po e ndjek këtë rrugëtim profesionalisht”, tregon ai, duke theksuar se fillimet kanë ardhur me sfida, por edhe me përvoja që e kanë motivuar të vazhdojë përpara.

Për Dionin, nisja e një karriere në modë nga Kosova ka qenë një sfidë më vete. Mundësitë e kufizuara për të qenë pjesë e industrisë ndërkombëtare e kanë bërë këtë rrugëtim më të vështirë, por jo të pamundur.
“Fillimet nuk kanë qenë të lehta, sidomos për shkak të vendit ku jetoj dhe mundësive të kufizuara për të qenë pjesë e industrisë ndërkombëtare të modës”, shprehet ai për Prive By LS.

Megjithatë, vështirësitë nuk e kanë larguar nga ajo që dëshiron të ndërtojë. Përkundrazi, Dioni thotë se pasioni për modën dhe përkushtimi e kanë shtyrë të vazhdojë të kërkojë mundësi të reja.
“Pasioni dhe përkushtimi im më kanë shtyrë të vazhdoj të punoj për të krijuar mundësi edhe përtej kufijve të Kosovës”, thekson ai.
Për të, rëndësi ka jo vetëm të jetë pjesë e ngjarjeve ndërkombëtare të modës, por edhe të ndërtojë gradualisht një rrugëtim të qëndrueshëm profesional, përmes punës, kontakteve dhe përvojave të reja.

Një prej momenteve më të rëndësishme në rrugëtimin e tij të deritanishëm ishte pjesëmarrja në Paris Fashion Week, ku pati mundësinë të ndiqte nga afër sfilatat e disa prej emrave më të njohur të modës botërore.
Gjatë kësaj përvoje, Dioni ndoqi sfilatat e Chanel, Louis Vuitton, Balenciaga, Acne Studios, Sacai dhe Ashi Studio.
Përveç tyre, ai mori pjesë edhe në takime private, ku pati mundësinë të shihte nga afër koleksionet e Schiaparelli, Saint Laurent dhe Givenchy.
Kjo përvojë i dha mundësinë të afrohej më shumë me industrinë ku synon të zhvillohet profesionalisht dhe të krijonte kontakte me njerëzit që janë pjesë e saj.
Për një të ri që ndodhet vetëm në vitin e parë të këtij rrugëtimi, pjesëmarrja në ngjarje të tilla përbën një hap të rëndësishëm drejt synimeve që ka për të ardhmen.

Përtej sfilatave dhe mundësisë për të parë nga afër koleksionet e shtëpive të njohura të modës, një prej gjërave që e kanë gëzuar më së shumti Dionin ka qenë mënyra se si është pritur nga profesionistët e kësaj industrie.
Ai tregon se respekti dhe mundësitë që i janë dhënë kanë pasur një rëndësi të veçantë, sidomos duke marrë parasysh se karriera e tij profesionale sapo ka nisur.
“Një prej gjërave që më ka gëzuar më së shumti ka qenë mënyra se si jam pritur nga njerëzit që punojnë për këto brende”, rrëfen Dioni.
Ai veçon faktin se, pavarësisht se është ende në fillimet e tij, ka gjetur njerëz të gatshëm t’i japin mundësi dhe ta ndihmojnë të krijojë hapësirë në këtë industri.
“Jam ndier shumë i respektuar prej tyre, sidomos kur e di që jam vetëm në fillim të rrugëtimit tim, e prapëseprapë vazhdojnë të më japin shanse dhe të më hapin dyer të reja”, shprehet ai.
Për Dionin, kjo përvojë ka vlerë përtej vetë pjesëmarrjes në ngjarjet e modës. Të ndihet i mirëpritur dhe i respektuar nga njerëzit që punojnë për brende ndërkombëtare i jep besim se puna e tij mund të krijojë mundësi të reja.
“Kjo për mua ka shumë vlerë dhe më jep edhe më shumë motivim për të vazhduar”, shton ai.
Edhe pse tashmë ka pasur mundësinë të përjetojë nga afër një prej javëve më të rëndësishme të modës, Dioni e sheh këtë si një fillim dhe jo si pikëmbërritje.
Synimi i tij është të vazhdojë të zhvillohet profesionalisht, të zgjerojë rrjetin e kontakteve dhe të krijojë bashkëpunime të reja me brende ndërkombëtare.
“Synimi im është të vazhdoj të zhvillohem profesionalisht, të krijoj bashkëpunime të reja me brende ndërkombëtare dhe të dëshmoj se edhe nga Kosova mund të krijohen mundësi në këtë industri”, thotë ai nër tjerash.

Përmes angazhimit të tij në krijimin e përmbajtjes dhe marrëdhëniet me publikun, ai synon të ndërtojë gradualisht një profil profesional që do t’i mundësojë të jetë pjesë e më shumë projekteve dhe ngjarjeve ndërkombëtare.
Rrugëtimi i Dion Selimit është ende në fillim, por përvoja në Paris Fashion Week, kontaktet e krijuara dhe respekti që thotë se ka marrë nga profesionistët e industrisë i japin arsye të besojë në hapat e ardhshëm.
Për të, sfidat e fillimit mbeten pjesë e rrugës, ndërsa ambicia për të krijuar mundësi përtej kufijve të Kosovës vazhdon të jetë një nga shtysat kryesore për të ecur përpara.
/Prive By LS



