Javën e kaluar, Courtyard by Marriott Prishtina City dhe Four Points by Sheraton Prishtina City organizuan një mbrëmje ekskluzive korporative në ambientet e Perria Ballroom, duke bashkuar partnerë biznesi, bashkëpunëtorë dhe miq të dy hoteleve në një atmosferë të veçantë, të karakterizuar nga mirënjohja, bashkëpunimi dhe vlerësimi i marrëdhënieve të ndërtuara ndër vite.

Mbrëmja shërbeu si një mundësi për të falënderuar partnerët për besimin dhe mbështetjen e vazhdueshme, si dhe për të festuar bashkëpunimet që kanë kontribuar në zhvillimin e dy hoteleve dhe në forcimin e marrëdhënieve me komunitetin e biznesit në Prishtinë.
Gjatë fjalimit të tij përshëndetës, drejtori i përgjithshëm, Fatih Baycan, shprehu mirënjohjen për të pranishmit, duke theksuar rëndësinë e marrëdhënieve personale dhe partneriteteve të qëndrueshme.
“Hotelet tona mund të mbajnë brende ndërkombëtare, por marrëdhëniet që kemi ndërtuar këtu në Prishtinë janë shumë personale. Disa prej jush na kanë mbështetur që nga fillimi, ndërsa të tjerë na janë bashkuar më vonë. Secili prej jush ka kontribuar në mënyrën e vet në rrugëtimin tonë dhe për këtë ju jemi sinqerisht mirënjohës,” u shpreh Baycan.
Ai theksoi gjithashtu ambicien e dy hoteleve për të shkuar përtej shërbimeve tradicionale hoteliere, duke u pozicionuar si partnerë të besueshëm për bizneset dhe organizatat që i zgjedhin.

“Ambicia jonë është të krijojmë vende ku zhvillohet biznesi, ku njerëzit lidhen me njëri-tjetrin, ku mysafirët ndihen të mirëpritur dhe ku partnerët tanë ndihen krenarë t’i sjellin mysafirët e tyre. Ne duam të jemi më shumë sesa një ofrues shërbimesh hoteliere. Duam të jemi një partner i besueshëm,” theksoi ai.
Një pjesë e veçantë e fjalimit iu kushtua edhe ekipeve të të dy hoteleve. Baycan vlerësoi përkushtimin e punonjësve dhe rolin e tyre thelbësor në krijimin e përvojave cilësore për mysafirët, organizimin e takimeve dhe realizimin e suksesshëm të ngjarjeve të ndryshme.
Duke iu referuar rrugëtimit të Four Points by Sheraton Prishtina City dhe kapitullit të ri të hapur me Courtyard by Marriott Prishtina City, ai nënvizoi mundësitë e reja për bashkëpunim dhe zhvillim që sjell prania e dy brendeve ndërkombëtare të mikpritjes në kryeqytet.
Përveç mundësisë për të forcuar marrëdhëniet profesionale, mbrëmja u shoqërua me përvoja kulinare, pije dhe muzikë live, duke krijuar një atmosferë që ndërthurte mikpritjen, argëtimin dhe bashkëpunimin.
Një ndër pikat kulmore të mbrëmjes ishte prezantimi i ofertës së re gastronomike të Esteria Restaurant, i vendosur në katin e parë të Courtyard by Marriott Prishtina City.
Të pranishmit patën mundësinë të shijonin specialitete nga menuja e re, përfshirë Seafood Tower dhe Wellington à l’Esteria, një interpretim elegant i Beef Wellington, i përgatitur me fileto viçi, kërpudha dhe petë të arta krokante. Me këtë specialitet, Esteria synon të sjellë një alternativë të veçantë në skenën gastronomike të Prishtinës, duke ndërthurur përgatitjen e kujdesshme, prezantimin elegant dhe përvojën e gastronomisë bashkëkohore.

Në përmbyllje të fjalimit të tij, Baycan falënderoi partnerët për besimin dhe mbështetjen, duke shprehur krenarinë për marrëdhëniet e ndërtuara dhe dëshirën për të vazhduar rrugëtimin e përbashkët.
Mbrëmja ishte një shprehje e mirënjohjes ndaj njerëzve dhe bizneseve që kanë qenë pjesë e rrugëtimit të dy hoteleve, si dhe një mundësi për të riafirmuar rëndësinë e besimit, respektit dhe bashkëpunimit në krijimin e partneriteteve afatgjata.
Sepse partneritetet më të mira nuk ndërtohen vetëm mbi sukseset e arritura, por mbi besimin, respektin dhe vizionin për atë që mund të arrihet së bashku. /Prive By LS



