Protestat për drejtësi për Arlinda Zekajn dhe për të gjitha gratë që kanë humbur jetën si pasojë e dhunës po vazhdojnë edhe të enjten në Prishtinë, për natën e dytë radhazi.

Protesta e organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist vjen pas rastit të Arlinda Zekajt, e cila humbi jetën më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. Rasti ka nxitur reagime të shumta publike dhe thirrje për përgjegjësi institucionale.

Në protestën e së mërkurës, qytetarë dhe aktivistë u mblodhën në sheshin “Zahir Pajaziti”, prej nga marshuan drejt institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë, përfshirë Policinë dhe Qeverinë e Kosovës.
View this post on Instagram
Ndër kërkesat kryesore të protestuesve janë shkarkimi i ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe nisja e hetimeve ndaj zyrtarëve që dyshohet se kanë neglizhuar rastin e Arlindës. Këto janë kërkesa të organizatorëve, të cilët kërkojnë që institucionet të japin llogari për veprimet e tyre.

Gjatë protestës së parë u përcollën mesazhe për drejtësi, solidaritet dhe mbrojtje të grave. Në mesin e pankartave ishte edhe thirrja: “Heshtja mbron dhunuesin, jo viktimën”, ndërsa organizatorët paralajmëruan se protestat do të vazhdojnë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
Rasti i Arlinda Zekajt ka rikthyer në vëmendje çështjen e sigurisë së grave dhe reagimit institucional ndaj raportimeve për dhunë. Përmes protestave, qytetarët po kërkojnë jo vetëm drejtësi për Arlindën, por edhe masa konkrete që do të parandalonin raste të ngjashme në të ardhmen.

Protestat pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa për të premten, më 30 tetor, është paralajmëruar protestë edhe në Pejë, në bashkëpunim me organizata dhe iniciativa për të drejtat e grave.
/Prive By LS



