Shqiponja, vajza nga Drenasi që mbrëmë u bë pjesë e edicionit të pestë të Big Brother VIP Kosova, ka një histori jetësore që kishte prekur publikun shqiptar shumë kohë para hyrjes së saj në këtë format.
Ajo u bë e njohur përmes një rrëfimi në emisionin Prive By LS, në shkurt të vitit 2025, ku ndau një pjesë tejet të dhimbshme të së kaluarës së saj.
Mbi dy dekada më parë, Shqiponja ishte braktisur nga prindërit e saj biologjikë, menjëherë pas lindjes. Ajo ishte gjetur në rrugë, si foshnje e porsalindur, nga një polic, një ngjarje që do të shënonte fillimin e një historie të pazakontë jetësore.
Pas kësaj, ajo u adoptua dhe u rrit nga një familje që e bëri pjesë të jetës së saj. Në rrëfimin për Prive By LS, Shqiponja kishte treguar se ishte shumë mirënjohëse ndaj prindërve që e rritën dhe i dhanë dashurinë familjare.
Ajo kishte treguar gjithashtu se për një kohë të gjatë nuk kishte dyshuar se ishte e adoptuar dhe kishte shpjeguar se si e kishte zbuluar këtë të vërtetë për jetën e saj.
Megjithatë, dëshira për të njohur rrënjët e saj nuk ishte shuar. Në kohën kur rrëfeu historinë, Shqiponja tregonte se tashmë prej dy vitesh ishte në kërkim të familjes biologjike, me shpresën se një ditë do të arrinte të mësonte më shumë për njerëzit që e sollën në jetë.
Ajo kishte folur edhe për mënyrën se si e imagjinonte takimin me prindërit biologjikë, nëse një ditë do të arrinte t’i gjente.
Rrëfimi i saj pati edhe një zhvillim të veçantë. Pas publikimit të intervistës në Prive By LS, historia u bë shkas që një nënë dhe vajza e saj të takoheshin sërish pas 20 vitesh ndarje, një moment që solli edhe më shumë emocion rreth kësaj historie.
Tashmë, Shqiponja ka nisur një kapitull të ri, këtë herë si njëra nga banoret e Big Brother VIP Kosova 5.
Pas historisë që ndau me publikun, mbetet të shihet se sa nga jeta e saj personale do të zgjedhë të ndajë edhe me banorët e tjerë gjatë qëndrimit në shtëpinë më të famshme në Kosovë. /Prive By LS


