Një tjetër letër e të ndjerës Arlinda Zekaj, e cila u vra tragjikisht në Vitomiricë të Pejës, është bërë publike, duke zbuluar edhe një herë thirrjet e saj për ndihmë dhe frikën që kishte për jetën.
Dokumenti është publikuar nga aktivistja Natyra Kuçi në Facebook dhe i drejtohet gjyqtarit Migjen Kastrati, të cilit Arlinda i kërkonte trajtim urgjent të çështjes së saj.
Në letrën e datës 7 shtator 2026, Arlinda shkruante se ndihej e rrezikuar për jetën e saj dhe të fëmijës, ndërsa kërkonte që gjyqtari të gjente kohë për të vendosur për urdhrin e mbrojtjes dhe kujdestarinë e djalit.
“Shkruaj si një grua që tani po e ndjen rrezikun për jetën e vet, ashtu dhe për jetën e fëmijës që nuk e di ku e kam”, thuhet në një pjesë të letrës.
Por ajo që bie veçanërisht në sy është përfundimi i saj, ku Arlinda i drejtohej gjyqtarit me fjalët:
“Për ju është rutinë, për mua është jetë dhe veç Zoti e di pse ty të ka zgjedhë të shpëtosh jetë.”
Duke publikuar dokumentin, aktivistja Natyra Kuçi e ka shoqëruar atë me mbishkrimin “I pandëruar Migjen Kastrati!”, duke theksuar se kjo ishte vetëm njëra prej lutjeve të Arlindës drejtuar tij.
Publikimi vjen në kohën kur trajtimi institucional i rastit të Arlinda Zekajt vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes publike.
Raporti i Ministrisë së Drejtësisë ka evidentuar shkelje të afateve ligjore në trajtimin e kërkesës së saj për mbrojtje, si dhe probleme me zbatimin e vendimeve gjyqësore.
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor, pas një periudhe gjatë së cilës kishte raportuar vazhdimisht kërcënime, dhunë dhe kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet përgjegjëse.
Letra e publikuar së fundmi është një tjetër dëshmi e dokumentuar e përpjekjeve të saj për të siguruar mbrojtje, përpara se jeta t’i ndërpritej tragjikisht. /Prive By LS



