Aktorja e njohur turke Serenay Sarıkaya dhe këngëtari Mert Demir janë rikthyer në qendër të vëmendjes së mediave turke, këtë herë për shkak të raportimeve se i kanë dhënë fund lidhjes së tyre të dashurisë.
Dyshja, e cila ka qenë në një marrëdhënie prej gati tre vitesh, thuhet se ka vendosur të ndjekë rrugë të ndara, duke nxitur reagime dhe diskutime në rrjetet sociale.
Sipas gazetarit turk Akif Yaman, ndarja dyshohet se ka ndodhur rreth dy javë më parë dhe se çifti i ka dhënë fund marrëdhënies në mënyrë miqësore. Megjithatë, arsyet që mund të kenë çuar drejt këtij vendimi mbeten të panjohura.
Një detaj që ka tërhequr vëmendjen është fakti se Serenay dhe Mert vazhdojnë ta ndjekin njëri-tjetrin në Instagram, ndërsa fotografitë e tyre të përbashkëta nuk janë fshirë nga rrjetet sociale.
Kujtojmë se lidhja e tyre ishte përfshirë më herët edhe në një polemikë të madhe në Turqi, pas pretendimeve se marrëdhënia ishte organizuar për qëllime publicitare përmes menaxheres së njohur Ayşe Barım.
Në janar të vitit 2025, mediat turke raportuan se llogaritë bankare të çiftit ishin marrë në shqyrtim nga autoritetet në kuadër të hetimeve që lidheshin me këto pretendime.
Megjithatë, Mert Demir i kishte mohuar kategorikisht akuzat për një lidhje të inskenuar, duke theksuar publikisht se marrëdhënia e tij me Serenay ishte e vërtetë dhe se ishte i dashuruar me aktoren.
Kjo nuk është hera e parë që çifti përballet me thashetheme për ndarje, pasi edhe më herët mediat turke kishin raportuar për kriza të mundshme në marrëdhënien e tyre.
Deri më tani, as Serenay Sarıkaya dhe as Mert Demir nuk kanë reaguar publikisht për raportimet e fundit. Mbetet për t’u parë nëse dyshja do t’i konfirmojë zërat për ndarje apo do t’u japë fund spekulimeve. /Prive By LS



