Melinda Ademi po përgatitet për një nga netët më të veçanta të karrierës së saj muzikore. Këngëtarja ka vendosur që këtë fundvit t’i surprizojë fansat me diçka ndryshe nga ajo që kanë parë deri më tani në performancat e saj.
Përmes një postimi në Instagram, artistja ka njoftuar se më 25 dhjetor 2026 do të mbajë koncertin e saj të parë plotësisht live, në Sallën “1 Tetori” në Prishtinë.
E njohur për energjinë në skenë, hitet dhe performancat e saj, Melinda këtë herë ka vendosur të vijë me një koncept ndryshe, duke përfshirë vokalin live, kërcimin dhe një bend të plotë muzikor.
“Momenti më në fund erdhi!”, ka shkruar ajo, duke mos e fshehur emocionin për këtë hap të ri në karrierën e saj.
Artistja ka treguar se përgatitjet për këtë koncert kanë kërkuar përkushtim të madh, ndërsa çdo detaj i spektaklit është menduar me kujdes për t’u dhuruar fansave një përvojë të paharrueshme.
“Kam dhënë kaq shumë nga vetja ime për të krijuar këtë shfaqje. Çdo detaj, çdo tingull dhe çdo lëvizje është formësuar nga dashuria ime për muzikën”, është shprehur Melinda.
Ajo ka zbuluar gjithashtu se kjo do të jetë performanca e saj e vetme për vitin 2026, duke e bërë edhe më të veçantë këtë natë për adhuruesit e muzikës së saj.
Biletat tashmë kanë dalë në shitje, ndërsa mbetet të shihet se çfarë surprizash të tjera ka përgatitur Melinda për natën e 25 dhjetorit.
Me këtë koncert, këngëtarja synon ta përmbyllë vitin në një mënyrë të veçantë, duke sjellë për herë të parë para publikut një performancë të plotë me bend live. /Prive By LS
View this post on Instagram


