Largimi i papritur i Behares nga “Big Brother VIP Kosova 5” vazhdon të jetë një nga temat që ka ngjallur interes te publiku, veçanërisht pasi ende nuk janë bërë të ditura arsyet e daljes së saj nga shtëpia.
Pas reagimit të djeshëm në Instagram, ku u shpërnda një mesazh emocional për ndjekësit, sot në profilin e saj është bërë një tjetër publikim.
Këtë herë janë ndarë disa nga mesazhet që Beharja ka marrë nga fansat, të cilët kanë shprehur keqardhjen për largimin e saj dhe mbështetjen që vazhdojnë t’ia japin edhe jashtë shtëpisë.
“Behare, loçkë je ti bre, për ty e kom pa Bigun”, është një nga mesazhet e ndjekësve, ndërsa të tjerë kanë shprehur dëshirën që ajo të rikthehet sërish në garë.
Mes shumë fjalëve të ngrohta, vëmendje ka marrë edhe një përgjigje e shkurtër e publikuar nga profili i Behares.
“Ju dua”, shkruhet në përgjigjen ndaj një ndjekëseje, duke përcjellë kështu një tjetër mesazh dashurie dhe mirënjohjeje për mbështetjen e publikut.
Kujtojmë se edhe dje në profilin e saj ishte shpërndarë një mesazh ku thuhej: “Krejt çka mundemi me ju thonë për momentin është që Beharja ju don shumë!”.
Ndërkohë, moderatori i spektaklit, Alaudin Hamiti, ka lënë të kuptohet se arsyeja e largimit të papritur të Behares mund të zbulohet gjatë spektaklit të nesërm të “Big Brother VIP Kosova 5”.
Deri atëherë, mbetet e paqartë se çfarë e shtyu Beharën të ndërpresë rrugëtimin e saj në këtë format, ndërsa publiku vazhdon të presë një sqarim për largimin që ngriti kaq shumë pikëpyetje. /Prive By LS



