Nora Tushi, e cila aktualisht është pjesë e “Big Brother VIP Kosova 5”, nuk është një emër i panjohur për publikun gjerman. Përpara se të bëhej pjesë e spektaklit në Kosovë, ajo kishte provuar fatin në dy prej garave më të njohura muzikore në Gjermani.
Së fundmi, në rrjetin social TikTok kanë nisur të qarkullojnë video nga performancat e saj në këto spektakle, duke rikthyer në vëmendje rrugëtimin e saj muzikor përpara hyrjes në BBVK.
Rrugëtimi i saj në televizion nisi në vitin 2019, kur, në moshën 19-vjeçare, mori pjesë në sezonin e nëntë të “The Voice of Germany”. Në audicionet e fshehta, Nora interpretoi këngën “Without Me” të Halsey, por performanca e saj nuk arriti të bindte jurinë që të kthente karriget.
Megjithatë, kjo përvojë nuk e largoi nga ëndrra për muzikën. Pesë vjet më vonë, në vitin 2024, ajo vendosi të provonte sërish, këtë herë në spektaklin e njohur gjerman “Deutschland sucht den Superstar” (DSDS).
Në audicion, Nora interpretoi këngët “Jealous” të Labrinth dhe “Flowers” të Miley Cyrus, duke siguruar mundësinë për të vazhduar garën. Gjatë rrugëtimit të saj, ajo solli edhe interpretime të këngëve “Bruises” dhe “Take Me to Church”.
Ndryshe nga përvoja e parë, në DSDS Nora arriti të renditej mes 20 konkurrentëve më të mirë, duke siguruar pjesëmarrjen në fazën e garës që u zhvillua në Kretë të Greqisë. Megjithatë, më 30 tetor 2024, rrugëtimi i saj në spektakël përfundoi pas eliminimit.
Një tjetër detaj interesant është se pjesë e jurisë së DSDS ishte edhe reperja shqiptare Loredana, të cilën Nora e kishte përmendur si një prej artisteve që admironte.
Sot, dy vjet pas pjesëmarrjes në DSDS, Nora është rikthyer para kamerave, por në një format krejtësisht tjetër. Ndërsa publiku po e njeh përmes qëndrimit të saj në shtëpinë e “Big Brother VIP Kosova 5”, videot që po qarkullojnë në TikTok po zbulojnë edhe një anë tjetër të saj, atë të një vajze që ka synuar të ndërtojë karrierë në muzikë. /Prive By LS


