Intervista e fundit e Labinot Rexhës në Top Albania Radio, e shoqëruar me një sërë deklaratash kontroverse për personazhe të njohura të showbizit shqiptar, vazhdon të nxisë reagime.
Këtë herë, ndaj këngëtarit ka reaguar menaxheri i njohur, Jetmir Agaj, pas deklaratave të tij për Elijona Binakajn, për të cilën Rexha pretendoi se e ka “në dorë”.
Përmes një reagimi publik, Agaj ka paralajmëruar se ndaj këngëtarit do të ndërmarrë hapa ligjorë për shpifje dhe dëmtim të reputacionit, duke mohuar kategorikisht se ka bashkëpunuar ndonjëherë me të.
Menaxheri ka theksuar se nuk do të lejojë që reputacioni i ndërtuar përgjatë 20 viteve karrierë të cenohet nga deklarata që, sipas tij, nuk qëndrojnë.
Kritikat e Agajt nuk janë drejtuar vetëm ndaj Rexhës, por edhe ndaj mediumit që i ka dhënë hapësirë pretendimeve të këngëtarit, sipas tij, pa verifikimin paraprak të tyre.
Sa i përket Elijonës, Agaj ka bërë të ditur se çdo pretendim i pavërtetë që cenon figurën dhe dinjitetin e saj do të ndiqet në rrugë ligjore.
Ai ka paralajmëruar gjithashtu për pasojat ligjore që mund të sjellë etiketimi i personave si kriminelë, pa prova apo vendime gjyqësore.
Sipas reagimit të raportuar nga Indeksonline, menaxheri nuk synon të përfshihet në një përplasje publike me këngëtarin, por është i vendosur ta ndjekë çështjen përmes institucioneve përkatëse.
Mbetet të shihet nëse Labinot Rexha do t’i përgjigjet paralajmërimit të Agajt për padi. /Prive By LS.


