Vetëm një ditë pas intervistës ekskluzive për Prive By LS, ku foli hapur për ndarjet dhe ribashkimin me Lirimin, Lulja ka vendosur të ndajë një tjetër rrëfim me ndjekësit e saj në Instagram, duke sjellë detaje të tjera nga marrëdhënia e tyre.
Përmes një shkrimi të gjatë, ajo ka pranuar se historia e tyre e dashurisë nuk ka qenë gjithmonë e lehtë, duke përmendur momentet e vështira, keqkuptimet dhe ndjenjat që i kanë shoqëruar gjatë viteve.
“Historia jonë nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Kemi kaluar shumë momente të vështira, kemi pasur mërzi e keqkuptime, por kemi pasur edhe kujtime të bukura që nuk harrohen lehtë”, ka shkruar Lulja.
Ajo ka treguar se ka pasur momente kur të dy kanë menduar se ndarja ishte zgjidhja më e mirë, por malli për njëri-tjetrin i kishte shtyrë të komunikonin sërish. Megjithatë, Lulja ka theksuar se jo çdo rikthim ka qenë domosdoshmërisht vendimi i duhur.
“Njerëzit mund ta shohin një ndarje dhe me mendu se e dinë krejt historinë, por jo gjithmonë është ashtu. Ata nuk i dinë bisedat që kemi pasur, arsyet pse jemi largu, as çka kemi ndier në ato momente”, është shprehur ajo.
Në reagimin e saj, Lulja ka pranuar se përgjegjësia për problemet në marrëdhënie nuk ka qenë vetëm e njërës palë, duke theksuar se të dy kanë bërë gabime gjatë rrugëtimit të përbashkët.
“Nuk po e tregoj historinë tonë për me e paraqit veten si të përsosur, as për me fajësu dikë. Edhe unë kam gabuar, edhe ai ka gabuar”, ka shkruar ajo, duke shtuar se përvojat e kaluara i kanë mësuar rëndësinë e komunikimit dhe mirëkuptimit.
Kujtojmë se një ditë më parë, në intervistën për Prive By LS, Lulja zbuloi se ajo dhe Lirimi ishin ndarë tri herë brenda dy vjetësh. Ajo mohoi që tradhtia të kishte qenë shkak i ndarjeve, duke sqaruar se problemet kishin të bënin kryesisht me mungesën e komunikimit dhe mosmarrëveshjet.
Pavarësisht vështirësive, çifti ka vendosur t’i japë një tjetër mundësi marrëdhënies së tyre, ndërsa Lulja e ka përmbyllur rrëfimin duke theksuar se e kaluara mbetet pjesë e historisë së tyre, me të gjitha momentet e bukura dhe ato të vështira.
“Nuk ka qenë rrugë e drejtë, por ka qenë rruga jonë”, ka përfunduar ajo. /Prive By LS



