Gjykata Themelore në Pejë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke ua caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh katër të dyshuarve në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Bëhet fjalë për ish-vjehrrën e viktimës, Nurije Sylajn, ish-kunatin Driton Sylajn, si dhe Metë Pepajn e Gëzim Bobin. Lajmin e kanë konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” burime brenda Gjykatës.
Nurije dhe Driton Sylaj dyshohen se kanë ndihmuar Albert Sylajn në kryerjen e vrasjes, ndërsa Metë Pepaj dhe Gëzim Bobi dyshohen se e kanë ndihmuar atë pas kryerjes së veprës penale. Ndërkohë, hetimet janë zgjeruar edhe ndaj ish-bashkëshortit të viktimës, Jeton Sylajt, i cili dyshohet për veprën penale “Shtytje në vrasje të rëndë”.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, të publikuar nga “Betimi për Drejtësi”, Nurije Sylaj dyshohet se me dashje ka ndihmuar në përgatitjen dhe lehtësimin e kryerjes së vrasjes. Që nga 22 tetori 2026, kur Arlinda ishte kthyer për të jetuar në shtëpinë familjare, ajo dyshohet se e kishte fotografuar dhe incizuar vazhdimisht viktimën.
Në telefonin e saj është gjetur edhe një video e datës 23 tetor, në të cilën Arlinda shihet duke ecur në qytet. Kjo video dyshohet se ishte realizuar nga Driton Sylaj, i cili më pas ia kishte dërguar atë përmes aplikacionit WhatsApp.
Prokuroria dyshon se këto veprime ishin pjesë e një koordinimi paraprak mes personave të përfshirë, me qëllim të sigurimit dhe shkëmbimit të informacioneve për lëvizjet dhe vendndodhjen e viktimës.
Gjithashtu, sipas Prokurorisë, Nurije Sylaj kishte qenë e pranishme në shtëpi gjatë kohës kur Albert Sylaj dyshohet se kishte sulmuar Arlindën me sëpatë, pa ndërmarrë ndonjë veprim për ta penguar sulmin.

Pas ngjarjes, në deklaratën e dhënë në cilësinë e dëshmitares, ajo dyshohet se kishte tentuar të devijonte hetimet, duke pretenduar se viktima e kishte shtyrë dhe rrëzuar në tokë dhe se gjatë kryerjes së vrasjes kishte qenë pa ndjenja. Sipas Prokurorisë, këto pretendime nuk përputhen me provat e siguruara nga kamerat e sigurisë.
Në anën tjetër, Driton Sylaj dyshohet se kishte përcjellë lëvizjet e viktimës dhe kishte siguruar informacione për vendndodhjen e saj, duke qenë në dijeni të planit të dyshuar për privimin e saj nga jeta.
Të dy dyshohen për ndihmë në kryerjen e veprës penale “Vrasja e rëndë”.
Ndërkaq, Metë Pepaj dyshohet se më 25 tetor 2026, pas kryerjes së vrasjes, kishte transportuar Albert Sylajn me automjetin e tij deri në fshatin Bec, duke e ndihmuar atë të shmangte përkohësisht arrestimin nga policia.
Gëzim Bobi dyshohet se më pas e kishte marrë dhe strehuar Albert Sylajn në banesën e tij në Gjakovë. Sipas Prokurorisë, një ditë më vonë, ai e kishte transportuar atë në drejtim të fshatit Maznik, me qëllim të vazhdimit të fshehjes dhe shmangies së arrestimit.
Pepaj dhe Bobi dyshohen për veprën penale “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale”.
Prokurori Armend Hamiti ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër të dyshuarve, kërkesë kjo që është aprovuar nga Gjykata Themelore në Pejë. /Prive By LS
Burimi: Betimi për Drejtësi


