“Black Friday” njihet sot si një nga ditët më të mëdha të blerjeve në botë, kur dyqanet ofrojnë ulje të konsiderueshme të çmimeve. Por, historia e këtij emërtimi daton më shumë se 150 vjet më parë dhe fillimisht nuk kishte aspak të bënte me blerjet.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, termi “Black Friday” u përdor më 24 shtator të vitit 1869, kur dy financierë, Jay Gould dhe James Fisk, tentuan të manipulonin tregun e arit, duke shkaktuar një krizë të rëndë financiare.
Lidhja e këtij termi me blerjet nisi shumë dekada më vonë, në fund të viteve ’50, në Filadelfia. Policia e qytetit e përdorte këtë emërtim për të përshkruar kaosin, trafikun e rënduar dhe turmat e mëdha që mbushnin rrugët një ditë pas Ditës së Falënderimeve.
Tregtarët tentuan t’ia ndryshonin emrin në “Big Friday”, për të shmangur kuptimin negativ, por kjo përpjekje nuk pati sukses.
Në vitet ’80, emërtimi mori një interpretim më pozitiv. Tregtarët e lidhën atë me mënyrën tradicionale të mbajtjes së llogarive financiare, ku humbjet shënoheshin me ngjyrë të kuqe, ndërsa fitimet me ngjyrë të zezë. Megjithatë, ky nuk ishte shpjegimi fillestar i emërtimit.
Me zhvillimin e tregtisë online, fenomeni amerikan u përhap edhe në vende të tjera. Në vitin 2010, Amazon nisi të ofronte ulje për “Black Friday” edhe në Mbretërinë e Bashkuar.
Sot, “Black Friday” nuk kufizohet vetëm në një ditë, pasi shumë biznese i zgjasin ofertat për disa ditë apo edhe javë të tëra.
Kështu, një term që dikur simbolizonte krizën financiare dhe kaosin në rrugë, u shndërrua në një nga fenomenet më të mëdha tregtare në botë. /Prive By LS


