Blero po bën gati valixhet për një rikthim që ka fiks një dekadë që pritet nga shqiptarët e Hamburgut.
Këngëtari i njohur do të ngjitet nesër mbrëma në skenën e klubit “Golden Cut”, për të rikthyer nostalgjinë dhe për të performuar hitet e tij ndër vite para fansave në diasporë. Pas 10 vitesh mungesë në këtë qytet gjerman, dëshira për t’u takuar sërish me publikun atje e ka shtyrë artistin të organizojë një natë të veçantë muzikore, ku pritet një atmosferë e ngrohtë dhe plot energji.
Megjithatë, ai nuk ka ndërmend t’i mbajë gjithë dritat e skenës vetëm për vete. Përkrah Bleros do të performojë edhe këngëtarja Majlinda Topanica, duke e bërë mbrëmjen edhe më të plotë. Kujtojmë se vetëm para pak ditësh, kjo dyshe publikoi bashkëpunimin e tyre të ri, baladën me titull “Ki me pa”. Kënga është pritur mjaft mirë nga ndjekësit dhe ky koncert i përbashkët shërben si momenti ideal për ta kënduar për herë të parë live këtë projekt të ri. Një organizim që do t’i bëjë bashkë për të krijuar kujtime të reja me dëgjuesit dhe për të shënuar siç duhet këtë rikthim të rëndësishëm në një prej qendrave më të mëdha të shqiptarëve në Gjermani. /Prive By Liberta Spahiu


