Edhe pse gjatë minutave të fundit disa media të tjera nxituan të raportonin se reperi Buta ishte vetëdorëzuar në polici, zhvillimet e fundit konfirmojnë lajmin e raportuar fillimisht nga Prive By Liberta Spahiu se ai ndodhej ende në arrati. Megjithatë, situata ka ndryshuar para pak minutash, pasi Betim Januzi ka vendosur përfundimisht t’i dorëzohet drejtësisë.
Sipas informacioneve zyrtare nga Policia e Kosovës, rreth orës 22:05 autoritetet kanë pranuar informacionin e saktë për lokacionin e të dyshuarit B.J., i cili i kishte njoftuar vetë ata se kishte marrë vendimin për t’u dorëzuar.
Njësitet policore janë angazhuar menjëherë në terren për të përmbyllur këtë rast që mori vëmendjen e të gjithë qytetit të Ferizajt dhe publikut gjatë mbrëmjes së sotme.
Arrestimi i reperit është bërë i mundur në rrugën “Halim Spahija” në Ferizaj, ku policia ka ndërhyrë për ta shoqëruar atë. Për shkak të përleshjes fizike në të cilën u përfshi më herët gjatë natës, raportohet se Buta ka pësuar lëndime në dorë. Si pasojë e këtyre lëndimeve, pas arrestimit, ai është transportuar menjëherë për në qendrën emergjente të Ferizajt për të marrë tretmanin e nevojshëm mjekësor. Pas trajtimit, ai pritet të përballet me procedurat e mëtejshme ligjore, duke i dhënë fund kështu arratisë së tij të shkurtër. /Prive By Liberta Spahiu


