Sot, një nga emrat më të mëdhenj të muzikës botërore, Dua Lipa, feston ditëlindjen e saj të 30-të.
Këngëtarja shqiptare ka arritur të kthehet në një ikonë globale, duke pushtuar top-listat muzikore, skenat më prestigjioze dhe zemrat e miliona fansave anembanë botës.
Dua Lipa nisi rrugëtimin e saj muzikor në moshë shumë të re, duke publikuar këngë në YouTube, përpara se të nënshkruante me një shtëpi diskografike. Albumi i saj debutues “Dua Lipa” (2017) solli hite të fuqishme si “New Rules”, këngë që shënoi një kthesë të madhe në karrierën e saj dhe e bëri një emër të njohur globalisht.
Me albumin “Future Nostalgia” (2020), ajo jo vetëm që u ngjit në majat e top-listave ndërkombëtare, por fitoi edhe çmime prestigjioze, përfshirë Grammy, duke sjellë një frymë të re në muzikën pop. Sot, Dua Lipa konsiderohet një nga artistet më me ndikim të dekadës së fundit, duke ndikuar në stilin muzikor, modë dhe kulturë.
Në këtë ditë të veçantë, babai i saj, Dukagjin Lipa, publikoi një mesazh emocionues kushtuar të bijës. Ai shkroi se ndjehet krenar jo vetëm për sukseset e saj në muzikë, por sidomos për zemrën, mirësinë dhe dashurinë që ajo jep.
“Gëzuar ditëlindjen e 30-të dashuria ime!
Sot nuk festojmë vetëm një përvjetor, por gruan e jashtëzakonshme që je bërë.
Që nga momenti kur hyre në jetën time, ma mbushe me gëzim, krenari dhe kuptim.
Të shoh teksa rritesh në një person kaq të fortë, të mirë dhe të suksesshëm ka qenë privilegji më i madh i jetës sime.
Udhëtimi yt, arritjet e tua dhe mënyra se si e mbart veten me dinjitet dhe vendosmëri më frymëzojnë çdo ditë. Nuk mund të isha më krenar për ty, por edhe më shumë se suksesi yt, është zemra jote, dhembshuria jote dhe dashuria që jep kaq lirshëm që të bëjnë vërtet të jashtëzakonshme.
Teksa hyn në këtë kapitull të ri, mbaj mend se jeta nuk është vetëm për atë që arrin, por edhe për lumturinë, dashurinë dhe kuptimin që krijon gjatë rrugës.
E di që dekada e ardhshme do të të sjellë edhe më shumë gëzim, mençuri dhe përmbushje, dhe unë do të jem gjithmonë këtu, pranë teje, duke të përkrahur në çdo hap.
Gëzuar 30-vjetorin, e dashura ime.
Të dua më shumë se ç’mund të thonë fjalët.
Me gjithë zemrën time,
Babi.”
Në prag të dekadës së saj të re, pritshmëritë janë të mëdha. Me projekte të reja muzikore në horizont dhe një bazë fansash gjithnjë e më të fortë, Dua Lipa mbetet një forcë e pamposhtur në industrinë muzikore botërore.
Gëzuar 30-vjetorin, Dua Lipa! /Prive By Liberta Spahiu
View this post on Instagram