Tensionet e krijuara brenda shtëpisë së “Big Brother VIP 5” mes Rogertit dhe Selinës kanë kaluar edhe jashtë mureve, duke përfshirë tashmë edhe familjarët e tyre. Së fundmi, Xhuljo, vëllai i Rogertit, ka reaguar publikisht pas një deklarate të fortë të bërë nga babai i Selinës lidhur me debatet e vazhdueshme mes dy banorëve.
Ky reagim vjen pas paralajmërimit që babai i Selinës dha pak ditë më parë në emisionin “Fan Club”.
I indinjuar nga situatat e krijuara në shtëpi, ai i përcolli një mesazh të drejtpërdrejtë familjes së Rogertit: “Përmes jush i çoj fjalë babait të tij që ta shohë këtë punë sipas ligjeve dhe kanuneve, që kur e shan një vajzë mbi dy herë, ke ofenduar burrin, babanë, dajat dhe gjithë familjen e vajzës. Kaq kisha për këtë Rogertin unë.”
Për të zbutur situatën dhe për t’iu përgjigjur kësaj deklarate, vëllai i Rogertit, gjatë një interviste për emisionin “Shqipëria Live”, theksoi se keqkuptimet zgjidhen më mirë përmes komunikimit të drejtpërdrejtë sesa atij mediatik. Ai u shpreh se dera e familjes së tyre është e hapur për të biseduar larg kamerave: “Do ishte mirë të fliste privatisht, jo në televizor. Rrugët i ka të hapura, por ne nuk duam konflikt. Mund ta marrë babain në telefon kur të dojë dhe të flasin e të bien dakord.”
Më tej, Xhuljo bëri thirrje për qetësi, duke theksuar se gjithçka mbetet në kuadrin e një loje televizive ku banorët kalojnë edhe momente të bukura së bashku. Pavarësisht kësaj, ai nuk la pa përmendur edhe goditjet e ulëta që i janë bërë vëllait të tij në shtëpi. “Ne e ndjekim Rogertin, duhet më mirë të qetësohemi dhe t’i lëmë gjërat nga jashtë se nuk ia vlejnë. Edhe Rogertit ia kanë përmendur djalin dhe duhet t’u vijë turp, por është loja e tyre,” përfundoi ai, duke lënë të kuptohet se dinamikat e formatit nuk duhet të kthehen në konflikte personale mes familjeve. /Prive By Liberta Spahiu


