Gjykata Themelore në Prishtinë mori dje vendimin për t’i caktuar 30 ditë paraburgim Gjestit dhe reagimet pas kësaj lëvizjeje ligjore kanë qenë të menjëhershme. Ndërkohë që artisti tashmë po përballet me pasojat e ngjarjeve të fundit, shtëpia e tij e re diskografike, Three60 Music, ka vendosur të dalë hapur me një mesazh të qartë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kompania ka nisur një fushatë në mbështetje të reperit duke përdorur hashtagun #MeGjestin dhe një grafikë ku theksohet se errësira nuk mund ta mposhtë ngjyrën.
Në deklaratën e tyre publike, përfaqësuesit e labelit theksojnë se çdo artist e meriton plotësisht lirinë për të krijuar dhe për të ndarë zërin e tij me botën. Ata shprehen se muajt e fundit, Gjesti është përballur me sfida të njëpasnjëshme që i kanë kërcënuar lirinë krijuese, por shpirti dhe dedikimi i tij ndaj artit mbeten krejtësisht të palëkundura. Kompania bëri të qartë se nuk do të qëndrojë në heshtje duke vëzhguar këtë situatë, por u zotuan se do të punojnë pa u ndalur për të mbrojtur të drejtat e tij dhe për të sfiduar atë që ata e konsiderojnë një padrejtësi të hapur ndaj artistit të tyre.
Kujtojmë se Gjesti përfundoi në pranga këtë javë dhe po hetohet nga organet e rendit pas një përplasjeje me ish-kompaninë e tij menaxhuese, një sagë kjo e mbartur prej disa kohësh mbi çështje kontratash dhe llogarish të vjetra. Megjithatë, kjo lëvizje e fundit dhe mbështetja publike nga menaxhmenti i ri tregon se artisti nuk është i vetëm në këtë betejë të ashpër. Seanca e djeshme ka vulosur fatin e tij për muajin në vijim, por mbetet për t’u parë se cilat do të jenë kundërpërgjigjet ligjore të radhës nga mbrojtja e këngëtarit. /Prive By Liberta Spahiu
View this post on Instagram


